Plot 49 punonjës të Ujësjellësit në Bashkinë e Selenicës, prej 8 muajsh nuk po marrin pagat. Në një mesazh drejtuar emisionit “Fiks Fare”, ata kërkojnë ndihmë për problemin e tyre, por nuk mund të dalin të ankohen para kamerës, pasi rrezikojnë vendin e punës.
Bashkëpunëtorët e “Fiksit” shkuan në zyrat e Ujësjellësit, ku punonjësit e administratës thanë se kanë dalë 3 paga këto ditët e fundit, nga presioni se “Fiksi” po interesohej. Por kjo nuk rezultoi e saktë, pasi punonjësit jashtë kamerës e mohuan t’i kenë marrë këto 3 paga.
Edhe vet shefi i Financës së Sh.a. Ujësjellësit të Selenicës shprehet se ankesa e punonjësve qëndron. “Të gjithë ne jemi pa paga prej 7-8 muajsh”, tha ai. Ai tregon se të ardhurat që mblidhen nga abonentët nuk mbulojnë pagat e punonjësve, ndaj duhen patjetër subvencionet e bllokuara nga Thesari.
Bashkia e Selenicës ka nën administrim 47 fshatra, 32 prej të cilave furnizohen me ujë të pijshëm, duke arritur në 4.250 abonentë. 1.700 prej tyre janë larguar dhe paguajnë vetëm tarifën 100 lekë. Po ashtu, 300 abonentë janë me ndihmë ekonomike dhe nuk paguajnë fare për shkak të pamundësisë.
Në Sh.a. Ujësjellësin e Selenicës nevojiten rreth 12 milionë lekë në muaj për pagat, e ndërkohë mblidhen nga abonentët vetëm 1 milion. Pra, pa subvencionet e qeverisë, të cilat janë të bllokuara për shkak të detyrimeve që kanë pasur ish-komunat ndaj OSHEE-së, është e pamundur që punonjësit të paguhen rregullisht.