Nga Blerina Ago, eksperte turizmi
Vera në Shqipëri është e mbushur plot me alternativa për këdo që dëshiron të përjetojë shumëçka, nga moti mahnitës me diell, pamjet piktoreske, mali, deti, liqenet dhe parqet kombëtare. Megjithatë, ende shumë njerëz nuk e njohin mjaftueshëm Shqipërinë.
Si më poshtë sugjeroj të paktën 1 vend që mund ta vizitoni gjatë muajve të ngrohtë që janë duke ardhur. Shpëtojini turmave këtë verë dhe provoni një destinacion më pak të frekuentuar nëpërmjet eksperiencave shumë interesante. Pushime aktive mes natyrës!
Muaji prill: Kajak gjatë perëndimit të diellit në lagunën e Nartës, Vlorë
Laguna e Nartës është mjaft e njohur më së pari për Ishullin e Zvërnecit me Manastirin e famshëm mesjetar. Kajak dhe vrojtimi i shpendëve është një tjetër arsye e mirë përse të vizitosh Zvërnecin. Këto janë ditët e fundit të qëndrimit të flamingove, prandaj nxitoni t’i shihni me fëmijët tuaj.
Aventurë e përshtatshme për fëmijët mbi 2 vjeç. Ishulli njihet për pyllin fantastik prej disa hektarësh me pemë të larta që e mbrojnë si kurorë dhe për Manastirin e Shën Mërisë, një vepër e periudhës bizantine.
Muaji maj: Karvan me mushka drejt Ujvarës së Sotirës
Nga burimet e ujit që vijnë nga Mali i Tomorrit, krijohet Ujëvara e Sotirës, një shfaqje fantastike natyrore që të bën të humbasësh totalisht në një spektakël ngjyrash.
Nëse doni të vizitoni një nga malet me madhështore të Shqipërisë dhe të përjetoni bekimin dhe harmoninë nga faltorja e perëndive duke zotëruar një pamje të gjithë horizontit zgjidhni shëtitjen me mushka drejt Sotirës nga fshati Qaf Dardhë.
Muaji qershor: Hiking në Malësinë e Kelmendit
Në Kelmend është një luginë me origjinë akullnajore dhe ndodhet në 1.100 metra mbi nivelin e detit. Në të dy anët e luginës janë shpatet malore të mbuluara me pyje dhe kullota. Ka 45 maja me lartësi mbi 2,000 metra, secila prej tyre me një emër të vetin. Bimësia përbëhet kryesisht nga pemët e ahut dhe konifer.
Fshatrat arrihen duke ndjekur rrugën Shkodër–Hani i Hotit–Tamarë–Vermosh, një rrugëtim plot gjarpërime e ballkone panoramike që do të të bëjnë të ndalosh herë pas here për të parë nga afër Leqet e Hotit, Luginën e Cemit, Majën e Mështjerrës, si dhe të shijosh pamjet e shumta spektakolare që shfaqen së largu.
Muaji korrik: Liqeni i Prespës
Për të gjithë ata që duan një destinacion veror larg zhurmave dhe dyndjes masive, Prespa është zgjidhja e përsosur. Liqenet fantastike të Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël, i bëjnë prej 5 milionë vitesh shoqëri njëri tjetrit. Prespa e Madhe bashkon 3 shtete Shqipërinë, Greqinë dhe Maqedoninë. Ky liqeni njohur për plazhet me rërë dhe gurë të imët.
Muaji gusht: Vrojtimi i yjeve në Fushë Studen, Librazhd
Kaloni të paktën një natë me yjet në Fushë Studën, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Simboli i Fushë Studnës është liqëni i saj, i cili ndodhet përballë fshatit rrëzë pyllit të ahut, çka i jep atij një pamje tëpër piktoreske.
Sipas preferencave tuaja personale, transporti mund të organizohet me këmbë, kalë ose me makina 4×4. Në zonën e vrojtimit,ngrihet kampingu dhe ju pret një darkë magjike nën qiellin e hapur. Yjet vrojtohen me një teleskop profesional prej 12 inç.
Muaji Shtator: Rafting në Vjosë dhe ujërat termale të Bënjës, Përmet
Ndihmoni për të ruajtur biodiversitetin e lumit të Vjosës duke përjetuar rafting në qytetin e vogël dhe të dashur të Përmetit. Lumi Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të rrjedhshëm të Evropës, në të gjithë rrjedhën e saj 270 km është e egër, e pandotur dhe e stolisur me kanione të bukura, ishuj të vegjël dhe ujë të kristaltë.
Për t’u relaksuar në mbrëmje, ju mund të vizitoni Banjat Termale të Benjës dhe të ngjiteni në kanionin e Lengaricës ku mund të shplodheni dhe notoni në ujërat e tyre natyrore.
Në të gjitha këto zona ju do gjeni njerëz mikpritësa dhe të dashur, te cilët do ju presin si turistë e do ju përcjellin si miq. Këtyre pushimeve nuk do t’i mungojë edhe udhëtimi mes shijesh të forta dhe tipike.
Edhe pse një vend i vogël, çdo zonë ka një karakteristikat e veta të kulinarisë dhe pjata të shumëllojshme, përfshirë perimet e freskëta, mishin, peshkun dhe frutat e stinës. Ndërsa zbuloni vendin tuaj, ju i ndihmoni banorët lokalë të vazhdojnë plot besim dhe entuziazëm iniciativat e tyre në turizëm, duke siguruar më shumë të ardhura për familjen e tyre.