Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin gjatë një takimi me kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, në samitin e sigurisë në Uzbekistan, tha se dëshiron që konflikti në Ukrainë të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur, por sipas tij, Kievi refuzon negociatat.
“Unë e kuptoj qëndrimin tuaj për konfliktin në Ukrainë dhe do të bëjmë çmos për t’i dhënë fund kësaj sa më shpejt të jetë e mundur”, i tha Putin Modit gjatë bisedimeve dypalëshe.
Por Vladimir Putin shprehu keqardhje që pala kundërshtare, udhëheqja e Ukrainës, sipas tij, ka refuzuar bisedimet e paqes dhe se Kievi dëshiron të arrijë qëllimet e veta me mjete ushtarake.
Kryeministri indian Narendra Modi i tha Putinit se nuk është koha për luftë, pasi ushqimi dhe karburanti janë ndër shqetësimet më të mëdha në botë për momentin.
Më vonë, Putin zhvilloi bisedime me presidentin turk Erdogan, i cili i ka kërkuar t’i japë fund luftës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur përmes diplomacisë.
Kreu i Kremlinit tregon se Erdogan është angazhuar për t’i dhënë fund luftës disa mujore dhe akuzoi homologun Zelensky se nuk ka treguar gatishmëri për bisedime.
Ndërkohë në një konferencë për shtyp, nga Uzbekistani, Putin theksoi se Rusia po lufton në Ukrainë me vetëm një pjesë të ushtrisë dhe nuk ka nxitim.
“Pak nga pak, ushtria ruse po merr gjithnjë e më shumë territore. Dua t’iu marr vëmendjen duke iu kujtuar se nuk jemi duke luftuar me ushtrinë e plotë, jemi duke luftuar vetëm me një pjesë të ushtë ruse, më një njësi me kontratë”, tha Putin, ndërsa theksoi sërish se objektivi i Rusisë është çlirimi i Donbas.
Mbi kundërofensivën e Kievit, Putin tha: “Të shohim si do të mbarojë”.