Zgjedhjet për Dumën: Partia e presidentit rus fiton, por del më dobët. Vladimir Putinit i duhet Duma pro tij, që në vitin 2024 të rizgjidhet president.
Vladimir Putin fitoi edhe një herë tjetër zgjedhjet e përgjithshme në Rusi, por ka humbur konsensusin. Partia e tij, Rusia e Bashkuar, arriti të marrë 45% të votave, por sipas llogaritjeve paraprake do t’i mjaftojë për të marrë 240 nga 450 vende në Dumën ruse. Gjithsesi mbështetja popullore ka pësuar një rënie drastike krahasuar me 54% të votave që partia mori në vitin 2016.
Përgjegjësia për këtë rezultat është edhe e shtimit të paprecedentë të votave të marra nga Partia Komuniste, e cila ka dyfishuar rezultatin në krahasim me zgjedhjet e kaluara, nga 13% në gati 25%.
Sipas rezultateve paraprake, nacionalistët e LDPR kanë arritur të sigurojnë 8% të votave, ndërsa Partia Rusia e Drejtë 7%. Por panorama politike në Rusi nuk duket se do të ndryshojë, pasi të treja këto parti mbështesin presidentin Putin thuajse në të gjitha vendimet.
Gjithsesi rezultatit i shtohen edhe mandate të drejtpërdrejta nga qarqet zgjedhore, dhe ato mund t’i sigurojnë Putinit edhe në legjislaturën e ardhshme shumicën absolute.
Për kreun e Kremlinit kjo ka rëndësi të madhe, thotë eksperti i politikës, Ilya Grashenkov. Roli i Dumës qëndron në atë që të mbështesë Putinin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vitin 2024. Deri atëherë Putini duhet të vendosë, nëse pas 22 vitesh në pushtet, ndërprerë vetëm 4 vjet si kryeministër, do të vazhdojë vetë edhe më tej apo do të kalojë një pasues në postin e presidentit. “Që Duma të mbështesë pasuesin e dëshiruar të Putinit, ajo duhet të jetë maksimalisht luajale, nuk duhet të ketë konflikte me presidentin e tanishëm dhe të mos paraqesë kandidatë të saj.”
Në Parlament arriti të futet me 5% të votave edhe Partia Populli i Ri, e formuar nga mbështetësit e opozitarit Alexey Navalny, i cili ndodhet në burg.
Edhe këtë herë nuk kanë munguar akuzat për manipulim të rezultatit. Në internet janë publikuar shumë video të cilat duket se tregojnë truket që përdoren për të favorizuar partinë e Putin, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka quajtur “fake news”.