Aktualitet Akademia e Shkencave: Imunizimi në popullatë mbi 70%, të rinjtë mbi 12...

Akademia e Shkencave: Imunizimi në popullatë mbi 70%, të rinjtë mbi 12 vjeç të marrin vetëm një dozë vaksine

Akademia e Shkencave ka publikuar sot studimin e tretë mbi imunizimin e popullatës në vend.

Sipas Akademisë së Shkencave, studimi është zhvilluar mes muajit Qershor dhe Korrik dhe ka rezultuar se imunizimi natyror në Tiranë është 73.3%.

“Sipas të gjitha gjasave kjo përqindje pasqyron gjendjen imunitare të popullatës shqiptare pas valës së tretë të Covid-19 që u shkaktua nga varianti Alfa dhe përpara valës aktuale të karakterizuar nga varianti Delta”, sqarohet në studim.

Tashmë nevojitet imunizimi vaksinal i 20% të popullatës që të arrihet pragu imunitar kolektiv deri në 90%.

Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Qendrën Kërkimore të Imunologjisë sugjeron që të gjithë ata persona që janë mbi 60 vjeç të kryejnë dhe një dozë tjetër vaksine përforcuese.

Po ashtu rekomandohet dhe vaksinimi i të rinjve mbi 12 vjeç, ku të marrin vetëm një dozë vaksine e cila është e mjaftueshme për të imunizuar këtë shtresë të popullsisë.