Bota “Putin ka vendosur tashmë ta pushtojë Ukrainën. Rusët sulmojnë brenda javës”

“Putin ka vendosur tashmë ta pushtojë Ukrainën. Rusët sulmojnë brenda javës”

Gazetari i njohur amerikan Nick Schifrin raporton se Vladimir Putin ka vendosur tashmë që ta pushtojë Ukrainën, madje ka dhënë edhe urdhrin tek gjeneralët e tij, të cilët po presin momentin më të përshtatshëm për ta zbatuar.

Përmes disa postimeve në rrjetin social Twitter, gazetari që i referohet “burimeve ushtarake perëndimore” shprehet se gjithçka pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme dhe sulmi do të prihet nga një fushatë e ashpër bombardimesh ajrore, të ndjekura nga futja e ushtrisë dhe tankeve.

Ai e përshkruan pushtimin e Ukrainës nga Rusia si një ngjarjes katastrofike, e cila do të shkaktojë një numër të madh viktimash, ndërsa qëllimi i rusëve është largimi i Kievit nga ndikimi Perëndimor dhe ndryshimi i qeverisë.

Sipas Schifrin gjeneralët kanë nisur lëvizjet e trupave dhe përgatitjet e fundit para se të zbatojnë urdhrin e shefit të Kremlinit. Ky pretendim përforcohet nga fakti që Rusia ka shtuar trupat ushtarake pranë Luhanskut dhe Donjetskut dhe disa raportime flasin për dyfishim të tyre, duke shkuar në 200 mijë.

Të njëjtat burime thonë se Putin nuk do të tërhiqet nga kjo luftë pa rrëzimin e qeverisë aktuale në Kiev dhe vendosjen e një qeverie tjetër, që nuk ka në plan anëtarësimin e vendit në NATO.

Ndërkohë, shumë vende perëndimore, përfshirë këtu SHBA u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen urgjentisht nga Ukraina. Londra u kërkoi të gjithë shtetasve britanikë që të largohen sa është ende në punë shërbimi civil i transportit ajror.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se blloku ishte “i bashkuar dhe i përgatitur për çdo skenar”, ndërsa SHBA paralajmëroi se Rusia mund të sulmonte “në çdo kohë”. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se forcat e reja ruse kishin mbërritur në kufi në atë që ai e përshkroi si “shenja shumë shqetësuese të përshkallëzimit”.

Moska sapo ka filluar stërvitjet masive ushtarake me Bjellorusinë fqinje dhe Ukraina ka akuzuar Rusinë se i ka bllokuar daljen në Detin e Zi duke përdorur si argument një stërvitje ushtarake që po kryen në zonë. Kremlini thotë është duke zbatuar politikën e vet të “vijës së kuqe” dhe vija e kuqe për të është anëtarësimi i Ukrainës në NATO.

“Mendoni se NATO është mbrojtëse? Çfarë do të ndodhë nesër kur Ukraina të jetë pjesë e NATO-s dhe të vendosë që të marrë me forcë Krimenë?”, pati deklaruar në fillim të kësaj jave, Presidenti rus, Vladimir Putin.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan tha se forcat ruse janë vendosur “në pozicione për të qenë në gjendje të kryenin një operacion masiv ushtarak në çdo kohë” duke sulmuar njëkohësisht Ukrainën nga jugu përmes rajonit të Transnistrias, Krimesë dhe Detit të Zi, veriu përmes Bjellorusisë dhe nga lindja.