Raporti Global i Pyjeve së fundmi ka paraqitur një pamje komplekse, për pyjet në mbarë botën. Mijëra hektarë kanë humbur gjatë dekadave të fundit, për shkaqet të ndryshme natyrore dhe jo vetëm. Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë një rënie të sipërfaqeve pyjore, në krahasim me vitet e mëparshme. Edhe programi i unitetit Kombëtar për Mjedisin që u publikua dhjetorin e vitit të kaluar tregoi se pyjet, sidomos ato mesdhetarë gjithë kohës janë të kërcënuara nga ndryshimet e shumta klimaterike.
Raporti tregoi se rreth 201 milionë hektarë pyje kanë humbur në vitin 2018, ekuivalente kjo shifër me 30 fusha futbolli. Pyjet mbulojnë 31% të sipërfaqes së planetit tonë. Ato prodhojnë oksigjen dhe sigurojnë strehim për njerëzit dhe kafshët e egra. Shumica e kafshëve të rrezikuara jetojnë në pyje, si dhe 1.6 miliardë njerëz janë të varur nga përfitimet që dhurojnë pyjet, duke përfshirë ushqimin, ujin, veshmbathjen, medikamentet tradicionale dhe strehimin.
Duke treguar një pasqyrim për situatën mjedisore në vendin tonë, Pr.Dr. Arsen Proko në Fakultetin e Shkencave të Pyjeve, tha për Gazetën “Si” se vendi ynë “vuan” nga fenomeni i vjeljes së materialit drusor, pasi gjatë gjithë kohës njerëzit janë edukuar në një politikë të tillë, për të siguruar të ardhura ekonomike, kështu që edhe kur dominonin pyjet, njerëzit i prisnin më shumë se sa kujdeseshin për to.
“Aktualisht në Shqipëri mund të themi që pyjet janë dëmtuar, por nuk janë shkatërruar. Kjo lidhet edhe me zhvillimin ekonomik të një vendi. Përdorimi i pyjeve lidhet me objektivat e zhvillimit, kështu që detyrimisht, duke u zhvilluar ekonomikisht ekziston edhe risku i shkatërrimit të pyjeve. Ndryshme nga vendet e tjera, në Shqipëri ky fenomen është më i pakët dhe vendi ynë ka mundësi rigjenerimi. Por, duhet të jemi koshient, se edhe vendi ynë me zhvillimin ekonomik do kërkojë një intensifikim të zhvillimit të pyjeve dhe për këtë ka mekanizma të cilat duhen shfrytëzuar,” shprehet Proko.
Rëndësia e tokave pyjore nuk mund të nënvlerësohet, duke qenë se janë pjesë e rëndësishme e habitatit tonë. Ekspertët kudo në botë i cilësojnë pyjet një faktor shumë të rëndësishëm jetësor. Pa ekzistimin e pyjeve nuk mund të paramendohej, jeta bimore dhe shtazore. Nisur që nga pakësimi i gazit në atmosferë, pyjet luajnë një rol të rëndësishëm ne sekuestrimin e karbonit, pasi nëpërmjet procesit të fotosintezës karboni atmosferik, kthehet në material drusor dhe depozitohet në pyll dhe rri i depozituar në formën e materialit drusor. Në moment që e djegim ky gaz karbonik del jashtë. Nëse ky proces teprohet, duke shfrytëzuar më tepër se sa potenciali shfrytëzues, i pyjeve atëherë do të shkatërrohet burimi që gazi karbonik e përçon në tokë, kështu që është shkatërruese për gjithë jetën, prandaj ky cikël duhet respektuar.
Sipas Prokos pyjet në Shqipëri shtohen rreth 2 milion, deri në 2 milionë e gjysmë metra kub në vit dhe duhet të priten rreth 70 % të kësaj vlere, por në fakt pritet më tepër se kaq, kështu që jemi në limitin e këtij cikli. Gjithashtu, ai shton se të dhënat e pyjeve tregojnë se ne kemi pyje si sipërfaqe, por nuk kemi shumë për të shfrytëzuar nga pyjet.
“Më shumë duhet të kujdesemi për pyjet sepse dominojnë pyjet e rinj, pyjet e vjetër janë më pak dhe kanë revolutë të konsiderueshëm për lëndë drusore. Ne kemi disa shifra që tregojnë gjendjen e pyjeve në vendin tonë , por janë si rezultat i vlerësimit paraprak, sepse janë vëzhguar rreth 65 % të pjesës pyjore kombëtare, janë dhe 35 %që duhet të vëzhguar këtë vit dhe pastaj del një shifër e saktë. Por, në përgjithësi kemi rreth 1700 mijë hektarë, e cila përkthehet në 65 milion metro kub(shifër e përafërt),. Nëse i ndajmë, kemi 390 mijë pyje të lartë, 586 mijë pyje të ulët dhe 222 mijë shkurre, megjithëse sipërfaqet e pyjeve të ulët janë më të mëdha si shpërfaqe, volumin e kanë pyjet e lartë, rreth 80% të materialit drusor e kanë pyjet e lartë që zënë shumë pak në sipërfaqe, kështu që duhet të shtojmë kujdesin për pyjet e ulët,” shprehet Proko.
Për sa i përket mënyrës për të përmirësuar gjendjen e pyjeve, Proko shpjegon se deri tani nuk ka pasur asnjë menaxhim shkencor strikt. Ai shpjegon se ka pasur përpjekje nga qeveritë, për përmirësimin e ligjit dhe hartimin e një dokumenti strategjik mbi zhvillimin e pyjeve.
“Janë bërë përpjekje në nivelin strategjik, në nivelin e politikave, por nuk janë bërë përpjekje në aplikimin e një plani kombëtar për mbrojtjen e pyjeve,” shton ai.
Ndër të tjera ai shprehet se duke qenë se në kemi potencial për përmirësimin e pyjeve, pasi kemi rritje vjetore me 2 metra kub për hektarë në vit, duhet thjesht të kujdesemi më anë të mekanizmave të duhura për zhvillimin e pyjeve. Proko shpjegon se ka 3 mënyra për të “shpëtuar” nga frika se pyjet do të shkatërrohen. Sipas tij vetëm më anë të menaxhimit do të arrihen rezultatet e duhura.
“Menaxhimi ekonomik, duke mos përjashtuar vjeljen e materialit drusor, menaxhimi ekologjik duke plotësuar nevojat ekologjike të pyjeve dhe menaxhim social, duke i vlerësuar pyjet sa më shumë. Vetëm me anë të menaxhimit mund të keni rigjenerimin e tyre,” shprehet Proko.
Gjithashtu, ai shton se pyjet nuk duhen parë vetëm si pasuri ekonomike, apo si bizhuteri kombëtare. Vlera e pyjeve është e madhe për vendin, nisur nga mbrojtja e fenomeneve natyrore si ngrohja globale erozioni e të tjera, por edhe një faktor i nevojshëm për njeriun.
“Njeriu lind dhe jeton me drurin, kështu që rëndësia e pyjeve është sa vetë jeta,” shprehet Proko.