Kryeministri i ri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka thirrur mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar mëngjesin e së mërkurës dhe në një fjalim prej gati 14 minutash ka përshkruar një model të ri të qeverisjes së vendit duke propozuar ndryshime të mëdha në mënyrën e funksionimit të qeverisë.
Në një prej 12 akseve kryesore të këtij modeli ai ka theksuar se do të punojë për fuqizimin e mëtejshme të rolit të Greqisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, rol të cilin e ka konfirmuar edhe gjatë bisedës së tij telefonike me presidentin amerikan Donald Trump.
“Prioriteti i 12 është një Greqi e fuqishme në një botë që ndryshon. Kam biseduar ndërkohë me shumë homologë të mi në BE .Bisedova dje edhe me zv/presidentin amerikan dhe me vetë presidentin amerikan dje në mbrëmje për të rikonfirmuar rëndësinë strategjike të marrëdhënieve të Greqisë me SHBA’, tha Mitsotakis.
Mitsotakis ka deklaruar se qeveria e tij do të bëjë përpjekje të rrisë zhvillimin ekonomik, sigurinë e qytetarëve, të vlerësojë pasurinë shtetërore, të ndihmojë shtresat në nevojë, të përmirësojë sistemin e arsimit dhe Shëndetësisë, të respektojë kontratat e punës, të rigjenerojë shtresën e mesme dhe të mbrojë mjedisin.
Pasi ka dhënë një afat gjashtëmujor për objektivat në çdo ministri ai ka ndaluar çdo ministër të punësojë pranë zyrës së tij të afërm dhe ka urdhëruar që asnjë prej tyre të mos ketë të drejtë të nënshkruajë kontrata me shtetin .
Duke reduktuar me 30% sekretarët dhe bashkëpunëtorët e jashtëm të ministrave ,Mitsotakis ka deklaruar se projektligji i parë i qeveriseë së tij do të jetë ai i reduktimit të disa taksave dhe i përmirësimit të sistemit të Drejtësisë.
Kryeministri i ri grek ka ruajtur traditën e paraardhësve të tij ndaj edhe kësaj here vizita e tij e parë zyrtare jashtë vendit do të jetë në Qipro dhe e dyta në Gjermani.