Në qeverinë maqedonase është folur për herë të parë shqip. Ministrat shqiptarë kanë nisur të përdorin zyrtarisht gjuhën shqipe, si në seancat parlamentare, por edhe mbledhjen e kabinetit.
I pari që foli atje në gjuhën e tij amtare ishte ministri i Diasporës, Edmond Ademi, e cili e ndau këtë ngjarje edhe me ndjekësit e tij në Facebook.
Qeveria maqedonase i ka nisur praktikisht procedurat për fillimin e zbatimit në praktikë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht shqipes.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka theksuar se, përmes një hapi të tillë edhe në praktikë, bashkësive etnike iu mundësohet e drejta e përdorimit të gjuhës së tyre.
Qeveria ka marrë gjithashtu vendim për fillimin e procedurës së zbatimit në praktikë të emrit të ri të shtetit, “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Në të gjitha institucionet e nivelit qendror, si në objektin e Qeverisë, të ministrive, Kuvendit, vendkalimet kufitare e organe të tjera, tabelat do të duhet të zëvendësohen me emrin e ri të shtetit, ndërsa një lëvizje e tillë do t’iu rekomandohet edhe institucioneve të pushtetit lokal.
Tabelat do të jenë edhe në gjuhën shqipe, ashtu siç është rregulluar me ligj.