Kryesore Qeveria miraton implementimin e orëve fleksibël të punës për administratën

Qeveria miraton implementimin e orëve fleksibël të punës për administratën

Qeveria ka miratuar ndryshimet në oraret e punës së administratës. Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, prezantoi ndryshimet pas mbledhjes së qeverisë.

Pirdeni tha se administrata do duhet të punojë 8 orë e 30 minuta nga e hëna në të enjten dhe 6 orë të premten.

Ndërkohë, punonjësit mund të zgjedhin të shkojnë në punë kur të duan, mjafton që puna të mos lihet bosh çdo ditë nga ora 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00.

“Kjo është një iniciativë që e kemi në kuadër të rienergjizimit të administratës publike. Kemi injektuar elementë të fleksibiliteteit në punë, mbi të gjitha për të garantuar që administrata publike të jetë një punëdhënës më tërheqës. Në kuadër të kësaj, për herë të parë parashikohet koncepti i orëve fleksibël të punës, me qëllim optimizmin e procesit të menaxhimit të burimeve njerëzore, por edhe për të garantuar një balancë më të mirë mes punës dhe jetës private. Në bazë të këtij vendimi parashikohet shprehimisht që ndërkohë që kohëzgjatja ditore mbetet e plotë, nga e hënë në të enjte, 8 orë e 30 minuta, ndërsa ditën e premte 6 orë, punonjësit e administratës publike mund të zgjedhin të nisin ditën e punës më herët dhe ta përfundojnë më herët, ose ta nisin më vonë dhe të përfundojnë më vonë, duke garantuar që të gjithë punonjësit të jenë prezent në zyrë, nga një fashë orare 9:30 deri 15:30 nga e hëna në të enjte, dhe 9:30 deri 13:00 ditën e premte,” tha ministrja.