Qeveria ka vendosur zgjatjen me 5 vite të tjera të moratoriumit të gjuetisë. Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, pas mbledhjes së qeverisë.
Sipas saj, ky vendim u bë pasi janë parë efekte pozitive nga dy ligjet e mëparshme. Kumbaro theksoi se është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës.
“Projektligj i ri që është në vazhdim të dy ligjeve që i kishte mbaruar afati dhe është shpallja e moratoriumit të gjuetisë për 5 vitet në vijim. Ka pasur dy ligje më parë, një për vitin 2014-2016 dhe një tjetër në 2016-2021 që i mbaroi afati vitin e kaluar. Duke konstatuar efekte pozitive të masave të marra, në lidhej me faunën e egër, por sidomos me shpendët e egër, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve të egër dhe një ndërgjegjësim shumë më i madh i popullatës. Në vitin 2016, në censusin e zhvilluar, janë konstatuar rreth 60 mijë lloje shpendësh të egër në habitatet e ekosistemit shqiptar, ndërsa në vitin 2021 jemi në rreth 140 mijë lloje të tilla. Këta shpendë kontribuojnë edhe në ruajtjen e mjedisit të Shqipërisë. Shpallja e këtij moratoriumi kufizon ndjeshëm edhe kërkesën për t’u pajisur me leje armësh gjahu. Në dy vitet e para janë sekuestruar mbi 800 armë gjahu, falë këtij moratoriumi”.
Kumbaro theksoi gjithashtu se në këtë vendim “prevalon interesi për mbrojtjen e faunës, ruajte e mjedisit dhe zonave të mbrojtura të cilat janë shtuar nga 17% e territorit në 20% të territorit, vendi më i pasur me shpendë të egër janë lagunat sidomos e Karavastasë që dallohet për shumëllojshmërinë e tyre”.