Ekonomi Rama paralajmëron bizneset: Deklaroni rrogat reale, do përfundoni në prokurori

Rama paralajmëron bizneset: Deklaroni rrogat reale, do përfundoni në prokurori

Zero tolerancë për bizneset që paguajnë punëtorët me lekë në dorë. Më këtë thirrje, kryeministri Edi Rama deklaron se hetimi tatimor do të çojë në prokurori kompanitë që bëjnë evazion me rrogat.

Kompanitë që nuk deklarojnë rrogat reale për punonjësit do të kallëzohen në prokurori. Me lajmërimin që jep kryeministri, aksioni për zbulimin e bizneseve që paguajnë punonjësit me lekë në dorë, ka hyrë në një fazë të re.

“Njësia që kemi ngritur ka hyrë në hetime. Në deklarimin tjetër i bëj thirrje që të vënë pagat, pasi do të godasim pa asnjë tolerancë atje ku do kapim. Nëse del keq me pagat nga hetimi tatimor, do të shkosh në prokurori”, tha Rama.

Në fillim të vitit, qeveria çoi letër të 10 500 biznese për të rregulluar deklarimet, një pjesë e të cilëve rregulluan deklarimet.

Skandali i rrjedhjes së pagave në dhjetor 2021 zbuloi se në një muaj fiskal, më shumë se 28% e punonjësve marrin pagë minimale të deklaruar.

Modeklarimi i plotë i rrogave pengon rritjen e pagës minimale dhe dëmton skemën e pensioneve, ku derdhen më pak kontribute.