Opozita ka paralajmëruar se ditën e shtunë do të protestojë përpara kryeministrisë për situatën që po kalon vendi.
Edhe pse nuk ka një kauzë të qartë se çfarë do kërkojë në këtë protestë, demokratët janë karikuar se do të mblidhen në shesh.
Në media kanë dalë lloj-lloj skenarësh, nga më i thjeshti deri dhe të përdorimi i dhunës dhe qëndrimi me ditë të tëra përpara zyrës së Edi Ramës.
Ata premtojnë se do të imitojnë Rumaninë, ku qytetarët me ditë të tëra kanë dalë në rrugët e Bukureshtit.
Me gjithë problemet që ka në vend, sërish situata nuk është e mbarsur deri në atë pikë sa të mbushen sheshet e Tiranës, aq më tepër kur opozita është duke penguar zbatimin e reformës në drejtësi, çka e bën të pakrahasueshme me Rumaninë.
Frika nga dështimi ka bërë që zëra nga kori i PD-së të nisin vajtimin se qeveria po blen protestuesit.
Sipas medieve pranë PD-së “njerëz me para nga mazhoranca janë të gatshëm të japin 100 euro vetëm për të mos dal qytetari në protestë”.
Pa iu futur fare analizës së kësaj marrëzie, dy fjalë duhen thënë për mentalitetin e një partie që vetëm pas katër muajsh do të kërkojë votën e qytetarëve për të qeverisur vendin. Një opozitë që mendon se populli shitet aq kollaj nuk e meriton asnjë sekondë, jo vetëm votën po as respektin më minimal.
Vendi ka treguar se kur situata është e rëndë, populli jo vetëm që del në shesh, por dhe përmbys qeveri.
Përpara se të kërkohet shitja apo blerja e qytetarëve është mirë të shikohet nga vetja.
Pse opozita është impotente dhe nuk arrin të bind qytetarët të dalin në protestë?