Kryesore “Qytetarët zgjodhën!”, Tsipras uron rivalin për fitoren në zgjedhje

“Qytetarët zgjodhën!”, Tsipras uron rivalin për fitoren në zgjedhje

Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka telefonuar rivalin e tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Kyriakos Mitsotakis dhe e uroi për fitoren në zgjedhje.

Edhe pse numërimi i votave nuk ka përfunduar plotësisht, rezultatet paraprake nxjerrin thellësisht në avantazh partinë opozitare të “Demokracia e Re” e cila mendohet të ketë marrë 38-42% të votave.

“Qytetarët zgjodhën! Dhe ne duhet të respektojmë rezultatin, sepse ndërrimi i qeverisë është themelor për demokracinë. E urova zotin Mitsotakis dhe nesër do t’i dorëzoj atij zyrën e kryeministrit”, deklaroi Alexis Tsipras në një fjalim që mbajti të dielën në mbrëmje në qendër të Athinës.

Sipas tij, Syriza bëri zgjedhje të vështira për të ndryshuar vendin dhe për këtë arsye pagoi dhe çmimin.

Alexis Tsipras, 44 vjeçar, përveç masave të shpëtimit, ai arriti një marrëveshje me Maqedoninë fqinje për ndryshimin e emrit të saj. Marrëveshja e mbështetur nga aleatët perëndimor, zemëroi shumë grekë të cilët e shohin përdorimin e emrit të Maqedonisë si shprehje të synimeve ekspansioniste ndaj krahinës greke me të njëjtin emër.

Kyriakos Mitsotakis, i biri i ish kryeministrit grek dhe vëlla i ish ministrit të Jashtëm grek, është zotuar ta bëjë Greqinë më miqësore ndaj bizneseve, të tërheqë investime të huaja, të modernizojë burokracinë greke dhe të ulë taksat.