Claudia Rebaza dhe Tim Lister, CNN
Qyteza fortesë Zahara de la Sierra në Spanjën e Jugut është mësuar të zmbrapsë armiqtë. Maurët e të krishterë luftuan për sundimin e tij në Mesjetë, ndërsa në 1812 francezët e bastisën. Por tani pozicioni i lartë i këtij fshati andaluzian papritmas është bërë një pasuri e paçmuar edhe një herë.
Më 14 mars, Zahara u nda nga bota e jashtme pasi koronavirusi përhapte tentakulat e tij në Spanjë. Kryetari i komunës, 40-vjeçari Santiago Galván, vendosi të bllokojë gjithçka, përveç një prej pesë hyrjeve të qytetit. Galván veproi ditën kur hyri në fuqi gjendja e emergjencës në Spanjë. Që atëherë, Spanja ka regjistruar më shumë se 100,000 raste dhe 10,000 vdekje.
Sidoqoftë, në Zahara nuk ka pasur asnjë rast të regjistruar të Covid-19 midis 1,400 banorëve të tij. “Kanë kaluar më shumë se dy javë dhe mendoj se kjo është një shenjë e mirë”, shprehet për CNN Galván.
Hapat drastikë të kryetarit të komunës kanë mbështetjen e plotë të qytetarëve dhe veçanërisht të moshuarve. Gati një e katërta e banorëve të Zaharas janë më të vjetër se 65 vjeç, ndërsa në azil ndodhen më shumë se 30 banorë të moshuar. Qytetet dhe fshatrat aty pranë kanë parë raste të infektuarisht dhe disa fatalitete prej koronavirusit.
Shtëpitë e bardha të Zaharas dhe rrugët e ngushta ngjiten përpjetë kodrinës së pjerrët, duke zbuluar fortifikimet mesjetare, ndërsa poshtë duket një liqen artificial dhe pemishte ullinjsh. Një orë nga Sevilja me makinë, Zahara është një destinacion i njohur për vizitorët nga e gjithë bota. Galván thotë se në ditët e para, atyre u duhej të largonin turistët francezë dhe gjermanë, të cilët nuk ishin në dijeni të masave të qeverisë lokale.
Postblloku në njërën nga rrugët hyrëse drejtohet nga një zyrtar i vetëm policie. Dy burra të veshur me veshje mbrojtëse të përdorura në kohë paqeje për spërkatjen e ullinjve, kujdesen për të larë me solucion kimik automjetet që hyjnë në qytezë. Automjetet madje duhet të kalojnë nëpër një gropë me solucion për t’u siguruar që gomat e tyre të jenë dezinfektuar plotësisht.
“Nuk ka asnjë makinë që kalon nëpër postbllok që nuk dezinfektohet”, thotë Galván.
Kryekomunari pranon se masa të tilla mund të jenë 20 deri në 80 për qind efektive, por thotë se kjo ka të bëjë me sigurimin e popullatës. “Kemi arritur t’u japim qetësi njerëzve. Ata e dinë që askush i panjohur nuk mund të hyjë”, shprehet Galván.
Masa të ngjashme sanitare përdoren kudo futur në Zahara. “Çdo të hënë dhe të enjte në orën 5:30 pasdite një grup prej rreth 10 personash zbarkojnë nëpër rrugë për të dezinfektuar qytetin, të gjitha rrugët, sheshet dhe shtëpitë nga jashtë”, thotë Galván.
Njëri prej këtyre vullnetarëve është fermeri Antonio Atienza, traktori i të cilit shkel çdo cep të qytetit duke spërkatur rrugët.
Një biznes lokal po paguan dy gra për të bërë furnizime ushqimore dhe mjekësore për të zvogëluar numrin e njerëzve në rrugë, veçanërisht ata që janë më të ekspozuar ndaj infektimit me virusin. Ato punojnë rreth 11 orë në ditë dhe porositë e tyre po shtohen dita-ditës.
Njëra prej këtyre grave, 48-vjeçarja Auxi Rascon, thotë se përgjigja nga qytetarët e tjerë ka qenë e mrekullueshme.
“Janë shumë të lumtur, sepse nuk kanë nevojë të dalin jashtë; ndjehen të mbrojtur dhe të sigurtë”, thotë ajo. Rascon është gjithashtu krenare për reagimin e shpejtë të qytetit. “Autoritetet morën masat e duhura në momentin e duhur dhe tani ne po shohim rezultatet”, tha ajo për CNN përmes telefonit.
Përveç organizimit të shërbimit për dërgimin e porosive në shtëpi, shoqata e grave Zaharilla kujdeset për të moshuarit që nuk mund të gatuajnë vetë. Një faqe në Facebook e krijuar për banorët e moshuar ka nisur një përpjekje për t’i botuar fotografitë e tyre të vjetra në internet. Luisa Ruiz Luna, e cila filloi iniciativën, thotë se kjo është “një mënyrë e bukur për zaharenët që jetojnë jashtë vendit që të bashkëveprojnë me vendin e tyre të origjinës, përveçse ushtrojnë kujtesën”.
Qyteti gjithashtu ka pajisur dy makina me muzikë dhe drita, “në mënyrë që fëmijët të dalin në ballkonet e tyre dhe të shijojnë këtë lloj zbavitjeje”, thotë Galván.
Gjaku i jetës ekonomike të qindra qyteteve të vogla spanjolle si Zahara sigurohet nga bizneset familjare apo të vetëpunësuarit. Kështu që Këshilli i qytezës ka prekur fondin e vet të emergjencës për të mbuluar kostot e energjisë elektrike, ujit dhe taksave për bizneset vendore gjatë gjendjes kombëtare të jashtëzakonshme. Baret dhe restorantet që varen nga turizmi – ka 19 të tilla në Zahara – përndryshe do të shkonin në falimentim.
Për Galván, kjo është më shumë se ndihmë financiare. Bëhet fjalë për ruajtjen e Zaharas si një komunitet. Por kryetari i komunës e di se në fund të fundit, Zahara do të ketë nevojë për ndihmë nga Madridi ose qeveria rajonale nëse izolimi dhe karantinimi do të vazhdojë.
“Do të na duhet një lloj mushkërie financiare nëse kjo vazhdon”, thotë Galván për CNN.
Si miliona spanjollë, edhe ai shqyrton përditë buletinet e Ministrisë së Shëndetësisë mbi Covid-19, duke shpresuar se, ashtu si rrethimet e Zaharas ndër shekuj, edhe ky i fundit herët a vonë do të kalojë.