Qindra qytetarë të Parisit dolën në rrugë këtë të diel për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-Presidentit Jacques Chirac. Trupi i të ndjerit u dërgua në Memorialin e Heronjve “Les Invalides”, ku nuk munguan radhët e gjata për të shkruar një ngushëllim në librin e vendosur pranë arkivolit. Trupi i tij do të qëndrojë aty gjatë gjithë të dielës, ndërsa të hënën varrimi do të bëhet pasdite në një ceremoni private.
E hëna është shpallur ditë zie kombëtare në Francë dhe në institucionet publike dhe shkolla, do të mbahet një minutë heshtje. Shërbimi funeral do të kryhen në kishën “Saint-Sulpice” ku do të marrë pjesë edhe Presidenti Emmanuel Macron.
Sipas autoriteteve franceze, në ceremoninë e të hënës do të marrin pjesë rreth 30 krerë shtetesh, mes tyre Presidenti rus, Vladimir Putin, ai gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Gjithashtu do të jenë edhe ish-udhëheqës që kanë bashkëpunuar me Chirac, si ish-Kancelari gjerman Gerhard Schroeder.
Është konfirmuar se 86-vjeçari do të varrohet së varrezat “Montparnasse” në jug të Parisit, pranë vajzës së Laurence, e cila vdiq në vitin 2016, në moshën 58-vjeçare, pas një beteje me anoreksinë.
Vdekja e tij u lajmërua nga dhëndri, Frederic Salat-Baroux, ndërsa mësohet se Chirac kishte pasur disa herë probleme me zemrën në vitet e fundit.
Gjatë një karrierë që vazhdoi për dekada në krahun e djathtë të politikës franceze, Chirac mbajti dy herë postin e Kryeministrit para se të shërbente si kreu i shtetit në periudhën 1995-2007. Si President ai kërkoi ndjesë për rolin e vendit të tij në Holokaust. Pasi la detyrën, u dënua me dy vite burg për korrupsion në kohën kur ishte Kryetar i Bashkisë së Parisit, por nuk kaloi asnjë ditë pas hekurave.
Ai gjithashtu kishte reputacion për Don Zhuan dhe mendohet se disa herë e tradhtoi bashkëshorten Bernadette gjatë 63 viteve martesë, mes partnereve aludohet se ka qenë edhe aktorja italiane Claudia Cardinale, por edhe gazetare e politikane të ndryshme.