Prokuratorët apo agjentët e futbollistëve po pasurohen gjithmonë e më shumë me ndërmjetësimin që bëjnë mes klubeve për klientët e tyre. Ata kanë përfitime të çmendura nga komisionet për transferimin e lojtarëve të ndryshëm nga një klub në një tjetër. Mino Raiola, agjenti i njohur italian, ka fituar 10.5 milionë euro nga kalimi i De Ligt te Juventusi. Një fenomen global, që në 5 vitet e fundit ka kapur shifrën e 2 miliardë dollarëve.
Sa i kushtoi Juventusit blerja e mbrojtësit Mathis De Ligt nga Ajaksi? Bardhezinjtë kaluan 75 milionë euro në arkën e klubit holandez, por në fakt shuma totale është 85.5 milionë euro, sepse 10.5 milionë euro është komisioni i Mino Raiolës, agjentit të lojtarit, i cili bëri ndërmjetësimin mes dy klubeve.
Blerja e madhe e Juventusit, që pas Kristiano Ronaldos përfaqëson një tjetër hap në rritjen e cilësisë së klubit bardhezi, është edhe një rast për të folur sërish për fenomenin e biznesit në futboll dhe për fuqinë e jashtëzakonshme të prokuratorëve. Juventusi është i vetmi klub në Itali, që për shkak të transparencës për merkaton, bën të ditur publikisht çdo detaj, edhe për komisionet, në çdo transferim që bën. Klubet e tjera nuk i japin këto të dhëna, por kjo nuk do të thotë se vetëm Juventusi i paguan prokuratorët.
Në fakt, përfitimet e jashtëzakonshme të prokuratorëve janë një fenomen global, siç kuptohet edhe në raportin e FIFA-s “Intermediaries in international transfers 2018”. Gjatë 5 viteve të fundit janë shpenzuar rreth 2 miliardë dollarë për komisionet e agjentëve në transferimet e futbollistëve. Rritja është vërtet e frikshme, nga 241 milionë që ka qenë në vitin 2014, në 548 milionë në vitin 2018. Ndër prokuratorët më të njohur, veç Mino Raiolës, janë shqiptari Fali Ramadani, Pini Zahavi, Horge Mndes etj.