Aktualitet Ngrihet Fondi i Solidaritetit për rikonstruksionin e Fakultetit të Gjeologjisë

Ngrihet Fondi i Solidaritetit për rikonstruksionin e Fakultetit të Gjeologjisë

Godina e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, duke e kthyer atë në një strukturë moderne në funksion të një procesi sa më të plotë dhe efikas të mësimdhënies.

Pas sigurimit të pronësisë së godinës ky është hapi i dytë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndërmerr në një kohë të shkurtër në mbështetje të Fakultetit, stafit akademik dhe vetë studentëve të Gjeologji- Minierave.

Me iniciativë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në kuadër të Paktit për Universitetin është ngritur Fondi i Solidaritetit për rinkonstruksionin e godinës, fond i cili është i hapur për të gjitha kompanitë e biznesit.

Ministrja Balluku, në një takim të zhvilluar me përfaqësues të kompanive minerare si dhe përfaqësues nga Fakulteti Gjeologjik, prezantoi nismën për ngritjen e fondit të solidaritetit si dhe i ftoi ata të bëhen pjesë e kësaj nisme, që në të njëjtën kohë është edhe në mbështetje të drejtpërdrejtë të aktivitetit të tyre, pasi do t’ju mundësojë një nivel më të lartë profesional të personelit që ata përzgjedhin ndër inxhinierët e rinj.

Ministrja Balluku ka risjellë në vëmendje gjithë procedurën që u ndoq në mënyrë që ky objekt t’i mbetej këtij Fakulteti. Ajo theksoi se projekti për rikonstruksionin e godinës është hartuar  nga një tjetër Fakultet, ai i Arkitekturës dhe Urbanistikës, teksa ftoi të gjithë subjektet që të ofrojnë mbështetjen e tyre financiare.

“Sigurisht për shkak të kërkesave që ne duhet të përmbushim, përsa i përket ambienteve, laboratorëve dhe të gjithë logjistikës suportive që i duhet një Fakulteti për të operuar, ai Fakultet ka nevojë për një rikonstruksion të thellë. Ky rikonstruksion ka një kosto, sipas projektit të përpiluar nga një tjetër Fakultet, ai i Arkitekturës dhe Urbanistikës. Këto fonde nuk janë ekzistuese për momentin dhe çfarë ne po kërkojmë nga të gjitha subjektet është mbështetje financiare për Fakultetin e Gjeologjisë”, u shpreh Balluku.

Ministrja bëri të ditur se përmes një llogarie bankare do të bëhet e mundur mbledhja e fondeve e cila do të shoqërohet përmes një procesi tejet transparent ku gjithsecili prej kontribuuesve do të ketë mundësi të kontrollojë fondet dhe mënyrën sesi ato do të shpërndahen. I gjithë kontributi i subjekteve minerare, u shpreh Balluku, do të jetë i njohur nga ana e Qeverisë Shqiptare.

“Kjo është një marrëdhënie bashkëpunimi të cilën ne do ta vlerësojmë shumë. Ju po investoni për të ardhmen praktikisht  dhe ndërkohë shteti ju njeh kontributin dhe ju do keni të gjithë mbështetjen tonë gjatë punës që ju kryeni në fushën që mbuloni”, theksoi Balluku.

Për dekanin e Fakultetit të Gjeologjisë, Vasil Jorgji, godina ka shumë nevojë për ndërhyrje teksa falënderoi ministren Balluku për nismën e ndërmarrë.

“Ndihem shumë mirë që godina u kthye, po ndihem si në ëndërr sot dhe dua ta falënderoj thellësisht ministren. Për të qenë i sinqertë dhe i vërtetë, kërkesat, thirrjet që na ka bërë ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë qenë shumë më shumë se kërkesat që unë kam paraqitur. Ajo godinë ka shumë nevoja, që nga nevoja konstruktive dhe pastaj mirëmbajtje e rikonstruksioni pa diskutim”, tha Jorgji.

Nga ana e tyre, përfaqësues të subjekteve minerare shprehën gatishmërinë e tyre për të kontribuar. “Është një epokë e re dhe le të fillojë ky bashkëpunime me biznesin për të pasur sa më shumë kuadro dhe inxhinierë në këtë fushë”, u shpreh përfaqësuesi i kompanisë “Albcrom”.

Ndërsa, Pandi Bombaj, inxhinier miniere “Selenicë Bitum”sh.a, e cilësoi këtë nisëm si të rëndësishme dhe që i vjen në ndihmë edhe biznesit.

“Iniciativa që është ndërmarrë është shumë e rëndësishme sepse në fund të fundit kjo i vlen bizneseve, sepse do të rrisin kapacitetet dhe më kryesorja cilësinë e këtyre kapaciteteve. Se aktualisht bizneset kanë mangësi”, tha ai.