Është votuar në Kuvend pas një seance maratonë që ka zgjatur 20 orë, qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit.
Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrat e tij dhe programin qeverisës kanë marrë votëbesimin me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim.
“Projektvendim për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave. Votimi: Kanë votuar pro 77 deputetë, kanë votuar kundër 53 deputetë, abstenuar 1 deputet. Projektvendimi miratohet. Kuvendi i jep besimin qeverisë “Rama 3”. Suksese”, tha kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij qeveritar pritet që të betohen tek Presidenti Ilir Meta të shtunën. Ceremonia e betimit do të mbahet në orën 11:00 të së shtunës.
Kreu i qeverisë ripërsëriti edhe njëherë ftesën për opozitën për bashkëpunim duke thënë se kjo arrihet me dialog. Rama përmendi dy reforma për të cilat kërkohet bashkëpunim nga të dyja palët për të arritur në një përfundim të përbashkët.