Kryesore Rama: Do ndërtojmë lagje të reja në Tiranë, Durrës dhe Kurbin

Rama: Do ndërtojmë lagje të reja në Tiranë, Durrës dhe Kurbin

Kryeministri Edi Rama ka zbardhur në mbledhjen e jashtëzakonshme të radhës planin e qeverisë për të rindërtim për t’iu ardhur në ndihmë personave të prekur rëndë nga tërmeti dhe të mbetur të pastrehë.

Kreu i qeverisë deklaroi se po planifikohen të ndërtohen tre lagje të reja në Tiranë, një në Durrës dhe një në Kurbin si pjesë e planit për rindërtim. Sipas këtij këto lagje do të jenë modern dhe do t’i kenë të gjitha brenda.

“Objektivi është që të arrijmë në një program rindërtimi, që të jetë krenari kombëtare, jo banesa sociale si ato që kemi njohur deri tani, banesa që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar gjithë jetën në ballë që janë të varfër. Do ndërtojmë në Durrës një lagje komplet të re, që do të jetë lagjja më e bukur pas ’90, një lagje të re nga e para, me infrastrukturë, me kanalizime, ujësjellës, kopshte, shkollë, të gjitha. Në Tiranë do të kemi një skenar për të ndërtuar një lagje re dhe të madhe, dhe një skenar për të ndërtuar dy lagje tjera më të vogla, një prej tyre do të jetë në Kombinat, tjetra tek Ish-Uzina e Traktorëve. Do ta shtrojmë këtë çështje me arkitektë të huaj dhe shumë shpejt dalim me rezultate. Në zonën e Kurbinit gjithë pallatet që kemi vizituar dje do t’i shembim dhe do të ndërtojmë një lagje me parametra komplet tjera”, tha kryeministri Rama.

Sipas Ramës, objektivi afatmesëm është ndërtimi i 10 mijë apartamenteve të reja me anë të këtij programi

“Po bëjmë gjithë kalkulimet e nevojshme, ambicia ime është të kemi një objektiv afatmesëm prej 10 mijë apartamentesh dhe një objektiv afatshkurtër prej 5 mijë apartamentesh. Kështu, mund të përfshijmë të gjithë ata që janë drejtpërdrejtë të prekur, por edhe ata që janë me probleme sociale”, shtoi Rama.