Politika Rama flet për Fatos Nanon: Kam një marrëdhënie e bukur me të,...

Rama flet për Fatos Nanon: Kam një marrëdhënie e bukur me të, ai di se ç’është vetmia

Kryeministri Edi Rama në një rrëfim të rrallë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” ka folur për marrëdhënien që ai ka më ish-kryeministrin dhe ish-drejtuesin e PS, Fatos Nanon.

Rama e quan raportin me Nanon të bukur, pasi nuk flasin shpesh, por kuptohen shumë mirë me njëri-tjetrin. Kreu i qeverisë shtoi se Nano ka qenë para tij në zyrën ku ai është sot, ka drejtuar vendin dhe sipas tij e di shumë mirë se çfarë është vetmia.

Blendi Fevziu: Për herë të parë në këtë zyrë ke hyrë për të takuar Fatos Nanon?

Edi Rama: Po, po.

Fevziu: Ai ka qenë Kryeministri i parë që keni takuar?

Rama: Ai ka qenë Kryeministri i parë që kam takuar unë këtu. Po.

Fevziu: Dhe si i ke sot raportet me Nanon?

Rama: Të them të drejtën raportin sot mund ta quaj të bukur. Është një raport shumë i bukur. Sepse…

Fevziu: Çfarë domethënë i bukur?

Rama: I bukur, komunikojmë jo intensivisht, hera-herës. E bukura e këtij raporti është se ai ka qenë këtu dhe ai e di, dhe e di fizikisht, jo thjesht me eksperiencë dhe e di se çfarë do të thotë presioni i kësaj zyre. Dhe mbi të gjitha ai dhe të tjerr dhe të tjerët e di se çfarë është vetmia kur je në këtë zyrë. Njerëzit mendojnë se kur hipën në majë, je i rrethuar me një mori njerëzisht. Në fakt në majë je më vetëm se sa asnjëherë tjetër. Se kur vjen koha, momenti i vendimeve të vështira, je komplet vetëm.

Fevziu: Të gjithë bëjnë sikur nuk e kanë mendjen.

Rama: Nuk ka rëndësi, bëjnë s’bëjnë, ti je komplet vetëm. Për këtë arsye, eksperienca, ndjesia fizike e të jetuarit në këtë zyrë, sfidat, sfilitjet, përplasjet. Edhe ajo që kemi kaluar me njëri-tjetrin, momentet jo të mira të marrëdhënies tonë, na e kanë bërë këtë raport shumë të bukur.