Kryeministri i Shqipërisë i është kundërpërgjigjur Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe presidentit malazez, Milo Gjukanoviç për nismën e Ballkanit të Hapur, duke theksuar duke theksuar se kjo nismë nuk do të ndalet.
Rama shkruan në Twitter se: “Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”.
Reagimi erdhi pas konferencës së përbashkët të Vjosa Osmanit dhe homologut të saj malazez në Prishtinë. Presidenti i Malit të Zi ofroi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, ndërsa bashkë me Osmanin kundërshtuan sërish nismën Ballkani i Hapur.
“Ka dëshmuar sidomos muajt e fundit që do të rezultonte me hapjen e rajonit tonë për një ndikim edhe më të madh të Rusisë, andaj atë duhet ta ndalojmë me çdo kusht. Në vend që të përshpejtonte ecjen e shteteve tona drejt BE-së, do t’i vendoste ato në një dhomë pritje dhe rrjedhimisht do të zgjaste edhe më shumë procesin integrues”, deklaroi Osmani.
Ndërsa Milo Gjukanoviç theksoi: “Ne mendojmë që Open Balkan është një iniciativë e cila ka dalë në një moment depresioni që i ka kapluar vendet e rajonit dhe kanë menduar që ishte i pamundur integrimi europian dhe se ndoshta me largimin e kancelares Merkel, integrimi europian për Ballkanin Perëndimor është duke u shuar. Por kjo nuk është e saktë”.