Aktualitet Atentat në Durrës, ekzekutohet 48-vjeçari, i përfshirë edhe në dhunimin e biznesmenit...

Atentat në Durrës, ekzekutohet 48-vjeçari, i përfshirë edhe në dhunimin e biznesmenit libanez

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Sukthit në Durrës. Arben Mërkuri (Ismaili) 48 vjeç mbeti i vrarë pasi u qëllua me armë nga një person i paidentifikuar.

48-vjeçari u dërgua në spital i plagosur në gjendje të rëndë, por si pasojë e plagëve ndërroi jetë.

Nga burimet policore mësohet se Arben Mërkuri (Ismaili) ka qenë person me precedent penal në fushën e lëndëve narkotike.

Nga raportimet paraprake shkak dyshohet të jetë prishja e pazareve të drogës, megjithatë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Arben Mërkuri, është një emër i njohur për Policinë e Shtetit, kjo pasi ai ka qenë i përfshirë edhe në dhunën e ushtruar ndaj biznesmenit amerikano-libanez, Faadi Mitri pranë kryqëzimit të Laknasit, pasditen e 10 shtatorit 2016 për shkak të investimit që po kryente në zonën e Gjirit të Lalzit.

Biznesmeni amerikano-libanez, Faadi Mitri

Informacioni paraprak i Policisë së Durrësit

Në qendër të Sukthit, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri automatik, në drejtim të dyqanit të shtetasit A. M.(I.), 48 vjeç.

Për pasojë shtetasi A. M.(I.) u plagos në gjendje të rëndë dhe si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për te bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.