Përmes një videomesazhi, kryeministri Rama tha se kjo javë do të jetë tejet e vështirë, pasi kemi hyrë në fazën e shpërthimit të epidemisë së COVID 19.
Shefi i qeverisë paralajmëroi se do të humbasim njerëz, por nuk duhet të lejojmë kurrën e kurrës të humbim një mall me njerëz.
Rama: “Kjo javë do të jetë tejet e vështirë sepse tani hyjmë në fazën e shpërthimit më intensiv të atyre bombave në trupin e njerëzve të prekur. Fatkeqësisht humbi jetën edhe një 43 vjeçar i cili nuk vuante nga ndonjë sëmundje kronike, ngushëllime familjes së tij dhe të ndjerëve të tjerë që kishin probleme serioze paraprakisht por që armiku u shkurtoi jetën. Kjo mortje që ka sulmuar botën synon më të moshuarit dhe më të dobëtit mes nesh por as të rinjtë nuk janë 100% të paprekshëm prej saj, përkundrazi. Ndaj ju lutem të gjithëve mos luani me zjarrin. Nuk ndalim dot vdekjen të na marrë njerëz por duhet me çdo kusht të ndalim kërdinë që mund të bëjë për shkak të pakujdesisë, kokëfortësisë dje papërgjegjshmërisë sonë. Do të humbasim njerëz, nuk e di sesa, por nuk duhet në asnjë mënyrë të humbasim një mal me njerëz, kurrën e kurrës. Këtë e kemi vetë në dorë, duke bërë durim”.