Pagat për mjekët dhe infermierët do të vazhdojnë të rriten. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama gjatë një pritje të organizuar me punonjësit e sistemit të shëndetësisë.
Kreu i qeverisë tha se nga dita kur socialistët morën pushtetin e deri më tani, pagat për këtë sektor janë rritur me rreth 70%, teksa ka premtuar se do të vazhdojnë të rriten deri në 100% në fund të mandatit.
“Jemi përpjekur që këtë respekt ta shprehim duke rritur cilësitë e kushteve në të cilat ju punoni, me aparatura dhe me mjete dhe nga ana tjetër për të rritur edhe shpërblimin tuaj. Pavarësisht se pagat janë rritur rreth 70% në raport me pikënisjen, nuk mjafton dhe duhet të bëjmë përsëri rritje të përmbushim objektivin që të paktën pagat t’i kemi rritur 100% nga pikënisja brenda këtij mandati dhe të jeni të sigurt që këtë do ta bëjmë me prioritet”.
Kryeministri gjeti rastin të vlerësonte punonjësit e shëndetësisë për punën e tyre të përditshme në shërbim të qytetarëve, pavarësisht paragjykimeve që ekzistojnë.
“Dua t’ju shpreh përsëri të gjithë solidaritetin tim dhe tonë për atë që është një hije që e shoqëron gjatë gjithë kohës jetën tuaj të përditshme profesionale, hija e një paragjykimi të shëmtuar sipas të cilit mjekët dhe infermierët të shikojnë nga xhepi përpara se të të kapin me dorë. Përdoret kryesisht nga ata të cilët për fat të mirë dhe mos paçin kurrë nevojë, por kanë një kënaqësi që është një kënaqësi që përgjithësisht me shqiptarët e ndajmë lehtësisht me tjetrin e të marrit nëpër gojë për keq të njerëzve. Patjetër që nuk mungojnë ato rastet kur edhe mes bluzave të bardha gjenden individë të padenjë, por këto nuk janë rregulli, këto janë përjashtime që përforcojnë rregullin se në sistemin tonë shëndetësor i gjithë volumi i misioneve të jetëshpëtimit është meritë e juaja, mjekëve, infermierëve e gjithë trupës që i vihet në dispozicion të gjithë njerëzve që kanë nevojë për këtë mbështetje”.
Kreu i qeverisë shtoi se mjekët dhe infermierët do të marrin bonuse në bazë të performancës së tyre në punë.