Kreu i qeverisë, Presidenti dhe lideri i opozitës uruan mësuesit në ditën e 7 Marsit. I pari që postoi në rrjetet sociale urimin e tij ishte kryeministri Edi Rama. Përmes një fotoje ai citonte Konfucin me shprehjen: Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë.
Pastaj ishte Presidenti Ilir Meta i cili thoshte se kjo ditë është nderim i madh për çdo mësues, pedagog dhe profesor shqiptar.
Pasi falenderoi mësuesen e tij të parë e të tjerët që e pasuan, Meta u shpreh se ndjen mirënjohje kundrejt gjeneratave të mësuesve shqiptarë që me sakrifica u vunë në krye të lëvizjeve kombëtare.
Kreu i shtetit nuk harroi të falënderojë edhe ata që iu bashkuan asaj që e quan “ajka e elitës së intelektualëve shqiptarë në ballë të Pranverës kuqezi”. Më tej, ai kujtoi edhe amanetin e Petro Nini Luarasit që thoshte: Mblidheni gjakun tim që ta përdorin fëmijët për të shkruar shqip.
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zgjodhi rrjetet sociale për urimin e tij për 7 Marsin.
“Dua t’ju uroj nga zemra festën të gjithë arsimtarëve në Shqipëri, të gjithë mësuesve që përtej çdo vështirësie janë përçuesit e përkushtuar dhe të pazëvendësueshëm të dijes tek fëmijët dhe të rinjtë tanë.
Për lodhjen e përditshme, kushtet shumë herë të pafavorshme të mësimdhënies dhe dinjitetit njerëzor, ata meritojnë të festojnë sot 7 Marsin me urimin, shpresën dhe premtimin se ditë më të mira do të vinë për arsimtarët tanë”, shkruan Basha.