Politika Rama-mjekëve: Ishit bërë si politikanët, me Covid-19 morët hakun e 30 viteve...

Rama-mjekëve: Ishit bërë si politikanët, me Covid-19 morët hakun e 30 viteve të fundit

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë ndryshe me gazetarët nga struktura e re spitalore e ndërtuar së fundmi për përballimin e situatës e një tjetër vale të dytë nëse do ketë në vjeshtë.

Në nisje të fjalës së mbajtur, Rama thotë se virusi nuk ka ikur ende, pavarësisht zbutjes së kufizimeve anti-Covid.

“Njerëzit të mos e harrojnë se virusi nuk ka ikur, se do e kishin deklaruar ata që janë më të zotë se ne që vazhdojnë të jenë të mbyllur që nga SHBA, Francë e Britani, pra virusi është këtu, edhe kur kemi normalizuar lëvizjen.

Po ne s’e kontrollojmë popullin me policë, ndaj parandalimin e gabimeve duke mos e neglizhuar duhet ta bëjmë secili.

Vala e dytë thuhet se mund të vijë në vjeshtë me gjithë viruset që shoqërojnë dimrin, nuk e dimë si do jetë fluksi i turistëve. Kjo strukturë është shembull i përgatitjes së përgjithshme dhe është gati nëse na duhet që të përballemi me flukse në luftën ndaj Covid”, u shpreh kryeministri, i cili u ndal edhe te puna e mjekëve dhe infermierëve, duke e cilësuar atë si heroike, por edhe një hak 30-vjeçar.

“Më vjen mirë ndër të tjera që mjekët ishin bërë si politikanët, morën një hak pas 30 vitesh nën shënjestër me sharje, baltë, e goditje fizike si një tërësi, kategori e zhytur në pisllëk e korrupsion që të lë të vdesësh rrugëve po nuk pagove. Të paktën shumica e shqiptarëve çfarë bënë mjekët e infermierët, se ishte heroike. Nuk ka patur asnjë braktisje detyre si në vende të caktuar”, tha Rama.