Bota George Floyd, çfarë ndodhi në momentet e fundit të jetës së tij

George Floyd, çfarë ndodhi në momentet e fundit të jetës së tij

George Floyd, çfarë ndodhi në momentet e fundit të jetës së tij

SHBA është përfshirë nga protestat mbarëkombëtare e trazirat për shkak të vdekjes së një burri afrikano-amerikan.

46-vjeçari George Floyd vdiq pasi u arrestua nga policia jashtë një dyqani në Minneapolis, Minesota.

Pamjet e arrestimit në datën 25 maj që kanë qarkulluar në rrjet, tregojnë se si një oficer i policisë, Derek Chauvin, i vë zotit Floyd gjurin në qafë ndërsa ai qëndronte i shtrirë në tokë dhe thoshte se s’po mbushej dot me frymë. Chauvin, 44-vjeç, është akuzuar për vrasje.

Ngjarjet kryesore që çuan në vdekjen e afro-amerikanit ndodhën brenda 30 minutave. Bazuar nga fjalët e dëshmitarëve, pamjet në video dhe deklaratat zyrtare, ajo që do lexoni më poshtë është gjithçka dimë mbi këtë ngjarje.

Siç shkruan BBC, e gjitha filloi me një raport për një kartëmonedhë të rreme prej 20 dollarësh.

Në mbrëmjen e 25 majit, Floyd bleu një paketë cigaresh nga Cup Foods, një dyqan ushqimesh. Mirëpo punonjësi i dyqanit e raportoi 46-vjeçarin në polici pasi besonte se kartëmonedha ishte e falsifikuar.

Floyd kishte jetuar në Minneapolis për disa vjet pasi ishte transferuar atje nga Houston, në Teksas. Ai kohët e fundit kishte punuar si roje në qytet, por, si miliona amerikanë të tjerë, mbeti pa punë nga pandemia e koronavirusit.

Pronari i dyqanit Mike Abumayyaleh, tha për NBC se Floyd ishte një klient i rregullt në Cup Foods. “Ai ishte një fytyrë miqësore, një klient i këndshëm që kurrë nuk shkaktoi telashe.”- tha ai.

Por zoti Abumayyaleh nuk ndodhej në punë ditën e incidentit. Në raportimin e kartëmonedhës së dyshimtë, punonjësi i tij adoleshent ishte vetëm duke ndjekur protokollin.

Në thirrjen telefonike me policinë të bërë në orën 20:01 të mbrëmjes, punonjësi tha operatorit se i kishte kërkuar paketën e cigareve mbrapsht zotit Floyd, por ai nuk kishte pranuar.

Punonjësi tha se burri dukej “i dehur” dhe “jo nën kontrollin e vetvetes”.

Menjëherë pas telefonatës, rreth orës 20:08, mbërritën dy oficerë policie. Z. Floyd ishte ulur me dy persona të tjerë në një makinë të parkuar në një qoshe. Pasi iu afrua makinës, një nga oficerët, Thomas Lane, nxori armën dhe urdhëroi zotin Floyd të ngrinte duart lart.

Prokurorët nuk e shpjegojnë pse z. Lane mendoi se ishte e nevojshme të nxirrte armën. Prokurorët thane sa Lane “vendosi duart mbi Floid dhe e tërhoqi atë nga makina”. Pastaj Floyd rezistoi t’i vendoseshin prangat.

Megjithatë, pasi e prangosën, Floyd u bë i bindur ndërsa z. Lane i shpjegoi se po arrestohej për ”kartëmonedhën e falsifikuar”.

Problemet nisën kur oficerët tentuan ta fusin Floyd në makinë.

Rreth orës 20:14, sipas raportit të prokurorëve Floyd ra në tokë dhe u tha oficerëve se ai ishte klaustrofobik.

Këtu mbërrin oficeri Derek Chauvin. Ai dhe oficerët e tjerë u përfshinë në përpjekjen e mëtejshme për të futur zotin Floyd në makinën e policisë. Gjatë kësaj përpjekje, në orën 20:19, Chauvin e tërhoqi Floyd nga ana e pasagjerit, duke bërë që ai të binte në tokë.

Ai shtrihej përtokë, me fytyrë poshtë, ende me pranga në duar.

Ky është momenti kur dëshmitarët filluan të filmojnë dhe janë këto momente që janë shpërndarë masivisht në rrjetet sociale.

Floyd po mbahej nga oficerët, ndërsa Chauvin i vendosi gjurin e majtë midis kokës dhe qafës.

“Nuk mund të marr frymë”- thoshte Floyd vazhdimisht, duke u lutur për nënën e tij dhe duke iu përgjëruar oficerëve.

Për tetë minuta dhe 46 sekonda, z. Chauvin e mbajti gjurin e tij në qafën e Floyd, thuhet në raportin e prokurorëve. Rreth gjashtë minuta në atë periudhë, Floyd u bë i pandërgjegjshëm. Në videot e incidentit, ky është momenti kur Floyd ra në heshtje, e kalimtarët i kërkuan oficerëve të kontrollonin pulsin e tij.

Një nga oficerët e tjerë, JA Kueng, bëri pikërisht këtë gjë. Ai kontrolloi pulsin në dorën e djathtë të Floyd, por nuk mundi ta gjente. Megjithatë, oficerët nuk lëvizën. Në orën 20:27, Chauvin hoqi gjurin nga qafa e Floyd. Ai nuk lëvizte. Mjekët e ndihmës së shpejtë e futën në një ambulancë dhe e dërguan në Qendrën Mjekësore të Qarkut Hennepin. Ai u deklarua i vdekur rreth një orë më vonë.

Natën para vdekjes së tij, Floyd kishte folur me një nga miqtë e tij më të ngushtë, Christopher Harris. Ai e kishte këshilluar Floyd-in të kontaktonte me një agjenci për një punë të përkohshme.

Ai tha se falsifikimi nuk ishte në karakterin e Floyd.

“Mënyra se si ai vdiq ishte e pakuptimtë”- tha Harris. “Ai po përgjërohej për jetën e tij. Kur përpiqesh kaq shumë të besosh në këtë sistem, një sistem që e di se nuk është i dizejnuar për ty, kur vazhdimisht kërkon drejtësi me mjete të ligjshme dhe nuk mund ta gjesh atë, atëhere fillon ta marrësh ligjin në duart e tua“, thotë Harris.