Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në Berlin një takim me kancelaren gjermane Angele Merkel.
Mbështetja për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit dhe konferenca e donatorëve në muajin e ardhshëm, ka qenë në fokus te takimit, pa anashkaluar edhe zhvillimet e tjera.
Merkel ka siguruar pjesëmarrjen në konferencën e donatorëve për të mbështetur vendin tonë në këtë kohë të vështirë, ndërsa është shprehur optimiste për negociatat e Shqipërisë në pritje të mbledhjes së ndërmjetme që do të bëhet në muajin mars.
“Ne duam që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së, është në interesin e këtyre shteteve dhe në interesin tonë”, tha Merkel.
Vlerësim ka dhënë edhe për progresin, që sipas saj, është bërë në lidhje me reformën në drejtësi.
Nga ana e tij, kryeministri shqiptar ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen gjermane, ndërsa e siguroi atë për vijim të reformave. “Roli juaj personalisht dhe i Gjermanisë ka qenë i jashtëzakonshëm për bashkëpunimin rajonal. Dëshiroj të shpreh të gjithë konsideratën për mënyrën se si ka nisur puna e Komisionit të ri Europian. Do të jetë një ndihmë e madhe për ne dhe për të gjithë rajonin”, është shprehur Rama.