“Do të të heqim taksat në janar të vitit që vjen për koleksionistët e automjeteve me vlera historike”, – theksoi sot Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në ceremoninë e 20-vjetorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Në fjalën e tij, Rama tha se “Shqipëria nuk është asnjëherë më shumë tërheqëse sesa kur përmes artefakteve, historia e saj shpaloset në të gjitha format e larmishme që ajo ka pasur dhe siç ndodh me këtë ekspozitë unikale, nganjëherë dhe aq e befasishme saqë natyrshëm njeriu “vret veten” nëse vërtetë të gjitha këto kanë qenë në Shqipëri”, – tha ai.
Rama shtoi se “dhe siç thotë një shtetar francez, i cili i dha shtysën prodhimit të ‘Citroen-ëve’ në një seri shumë të suksesshme, sigurisht që asnjëherë nuk mbarojmë se mikluari nga butësia e llampës me vaj, nga madhështia e anijeve me vela apo nga magjia e ekuipazheve të vjetra”.
“Dhe, këtu sot janë mbledhur në një hapësirë të posaçme të kryeqytetit, automjete ku nuk janë ulur dhe kanë bërë një copë rrugë me katër rrota vetëm për personazhe historikë, qofshin të mirë apo qofshin të këqinj, por edhe njerëz të apasionuar që meritojnë sot një falënderim dhe një mirënjohje të thellë për faktin se kanë arritur t’i sjellin këto skulptura të së shkuarës deri në ditët tona me kaq përkushtim, edhe pse padrejtësisht kanë qenë të rënduar nga taksat absurde të cilat do t’i heqim të gjitha në fillim të janarit të vitit që vjen. Dhe askush më nga koleksionistët e automjeteve me vlera historike nuk do të jetë i detyruar të paguajë taksa, por do të vazhdojë të kujdeset për objektet e çmuara duke pasur edhe të gjithë mirënjohjen tonë në formën e heqjes së taksave”, – theksoi ai.
Në vijim, Rama tha se “këto skulptura të një historie në lëvizje drejt transformimit të vazhdueshëm të botës me katër rrota, janë në fakt froni, janë si të thuash një seli në lëvizje e imagjinatës njerëzore drejt të ardhmes, në formën e dëshirës së pafundme për të vrapuar më shpejt dhe për t’u dukur më bukur gjatë vrapimit”.
“Këto automjete dhe ky aktivitet që edhe vetë si aktivitet do jetë i lëvizshëm, sepse do lëvizë nëpër Tiranë dhe shpresoj edhe më tutje në Shqipëri, janë simbole të të shkuarit përpara dhe jo të mbeturit mbrapa. Dhe sado e larmishme apo e përzishme ka qenë historia nëpërmjet këtyre bukurive që shfaqen sot me radhë të heshtura, por mbartin kujtime të pafundme, e vërteta është që është një histori që na e bën vazhdimisht me sy”, – tha ai.
Në vijim Rama tha se është një histori që na e bën me sy dhe nuk mbaron as me një pasagjer të posaçëm, as me një model të posaçëm, sepse është një histori që thotë gjithmonë se ka edhe më.
“Më tradicional dhe ndoshta më moderni për mbretëruesit shqiptarë, banori që i mungoi këtij pallati, sundoi mbi automjet me ecejaket e tij sesa mbi një fron, dhe madje një gjest të bukur filantropie dhe zemërgjerësie, ishte pikërisht me një automjet, që ai shleu, ‘Mercedes’ i kuq që Hitleri i kishte bërë dhuratë martese dhe që ne e shohim në çdo filmim të 1938-ës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe iu dhurua Kryqit të Kuq Britanik.
“Një mbret-perandor shpëtoi nga plumbi falë një ‘Fiati’, kur u nis nga ky pallat për të kaluar përmes Rrugës së Durrësit. ‘Mercedesi’ me sy bufi dhe me trup balerine i viteve ’50 është ai ku janë puthur dhe janë përqafuar nxehtësisht, Enveri me Hrushovin, me Çu En Lain. Dhe po ‘Mercedes’ nga ata më elegantë kam parë të hipin mbi kurriz dhe t’u zbresin nga kabina të gjithë udhëheqësit e fundit të regjimit komunist dhe të gjithë udhëheqësit e parë të kohës që erdhi pas përmbysjes së regjimit”, – tha ai.
Duke sjellë në kujtesë historinë e automjeteve shtetërore, Rama shtoi se “nuk e di a është këtu në këtë koleksion dhe një ‘Mercedes’ që Sekretari Amerikan i Shteti ia mori borxh Ramiz Alisë. ‘Mercedesi’ i Enver Hoxhës u përdor nga sekretarë të Përgjithshëm të NATO-s”.
“Pra përmes një makine dhe përmes një koleksioni makinash një histori e tërë kalon para syve dhe mund të vazhdojë pambarim në varësi të njohjes që kemi për të. Megjithatë për 70 vjet automjetet në Shqipëri, sidomos automjetet personale, mbeten një tabu dhe në vitin 1929 regjistri zyrtar i shteti shqiptar tregon se në të gjithë vendin qarkullonin 375 automjete, pothuajse të gjitha ‘Fiat’, aq sa në ato vite makinës i thoshin “fiat’. Me ikjen e Italisë në vendin tonë mbetën 6 mijë makina të cilat deri në vitin 1950 u shtetëzuan dhe pastaj filloi një etapë e dytë e automobilizmit, ku bota e katër rrotave u zëvendësua nga ‘Gazi’, ‘Zisi’, ‘Skoda’ që ishin të gjitha në përdorim shtetëror. Nëse në kohën që në Shqipëri qarkullonte një makinë në orë dhe mjaftonte vetëm një zyrë që lëshonte targa, sot sfida e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor është një sfidë marramendëse, për shkak të numrit marramendës të makinave krahasuar me të shkuarën”, – tha ai.