Kryeministri Edi Rama shprehu edhe një herë tjetër disponibilitetin e tij për një marrëveshje me opozitën, por, sipas tij, jo për marrëveshje që pengon drejtësinë që të merret me politikanët, të majtë apo të djathtë qofshin ata.
“Patjetër që ne duam paqe politike, për Shqipërinë dhe jo për karriget. Dora ime mbetet e shtrirë. Reforma Zgjedhore sipas OSBE/ODIHR dhe Këshillit Europian mbetet sfidë me opozitat parlamentare dhe joparlamentare. Ka një vend bosh ku presim të ulen, edhe me veto. Atyre me molotovë, ne u japim veton. Ky është ndryshimi. Ndërsa Reforma në Drejtësi nuk diskutohet, por vetëm mbështetet. Nuk kam disponimin minimal për asnjë marrëveshje politike për të ndenjurat e politikanëve. Nuk ka marrëveshje politike që do të pengonte drejtësinë për t’u marrë me këdo që mund të jetë subjekt i drejtësisë, brenda apo jashtë kësaj salle, majtas apo djathtas”, tha Rama.
“Borxhi ku na ka futur populli më 30 qershor është shumë i madh. Duhen vepra dhe jo fjalë. Hesapet do të lahen individualisht me drejtësinë. Partia Socialiste nuk ka ndërmend të tolerojë askënd që mund të ketë hesape me drejtësinë”, shtoi kryeministri.