Pas takimit me anëtarët e kryesisë në selinë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka dhënë edhe një prononcim për median, ku ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen ashtu si kolegu maqedonas, pasi nuk ka arsye për ta bërë këtë.
Rama gjithashtu tha se po vazhdohet puna normalisht për reformat, dhe kushtet që ka vendosur Gjermania, për rrugën drejt integrimit.
“Kemi parë ecurinë e procesit kemi dakordësuar garën e grave të PS, kemi votuar për pro. Ky proces përbën një risi të rëndësishme, pasi ne jemi partia më e votuar nga gratë dhe vajzat në këtë parti. Ne themi “Kur duhet bërë muhabet, bëhet me burrat, kur duhet pune, bëhet me gratë”.
Kemi diskutuar për temën e ditës, lidhur me mos marrjen e vendimit të merituar për Shqipërinë dhe natyrisht që kemi rënë dakord që kjo nuk ndryshon asgjë në trajektoren e qeverisë tonë. Në ditët në vijim kam një sërë komunikimesh me presidentin e Francës dhe një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit. Në aspektin praktik jemi të qartë, duhet të vazhdojmë punën pasi edhe pse kemi marrë një jo ne duhet të ecim përpara me reformën zgjedhore duke reflektuar të gjithë rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe me gjithë pikat e vendosura nga Bundestagu gjerman”, tha Rama.
Kryeministri ka akuzuar edhe opozitën, që sipas tij ka punuar kundër hapjes së negociatave.
“E çfarë duhet të them unë, s’ka asgjë të re, ata kanë punuar shumë fort dhe nuk ka lënë gjë pa bërë për të dështuar procesin. Duke marrë mbështetjen e kancelares qoftë Maqedonia dhe Shqipëria si rezultat i një përplasjeje të brendshme në BE. Sot është materializuar ajo që kam paralajmëruar përpara disa kohësh pra një konflikt brenda Bashkimit Evropian. Detyrat tona të shtëpisë janë të qarta si e shikoni dielli ka dalë përsëri dhe dita jonë vazhdon përsëri. Reforma zgjedhore do e bëjmë me të gjithë ata që duan të marrin pjesë në proces. Në parlament në dijeninë time ka një opozitë dhe ka një karrige bosh për kolegët tanë të opozitës jashtë parlamentit. Ne do vazhdojmë procesin“, tha Rama.