Kryeministri Edi Rama ka bërë sot një thirrje për opozitën parlamentare, ndërsa ka paralajmëruar atë jashtë parlamentare.
Duke folur për Reformën Zgjedhore në Kuvend, Rama i është drejtuar deputetëve të opozitës në parlament duke u thënë se sipas mendimit të tij, kanë bërë gabim që janë ngritur nga tryezat pa rënë dakord për miratimin në Kuvend të saj, të dakordësuar me opozitën jashtëparlamentare.
Por ka paralajmëruar Lulzim Bashën dhe Petrit Vasilin si palë në negocim, se marrëveshja është në fije të perit për t’u realizuar apo për t’u grisur dhe se këtë mund ta ruajnë vetëm pala e opozitës jashtë parlamentit. Rama u ka bërë thirrje që të mos hedhin më akuza dhe të mos e sulmojnë PS.
“Sa i përket këtij procesi, ne duhet të mbyllim marrëveshjen dhe ju keni bërë gabim sipas mendimit tim që e keni braktisur Këshillin. Dhe pastaj çfarë doni ju të diskutoni me ne për të arritur një mirëkuptim për të votuar, kjo është temë që pason dhe diskutimet këtu janë diskutime këtu, ata që janë jashtë nuk mund t’i imponojnë këtij parlamenti se çfarë do diskutohet.
Ajo çfarë i them sot Lulzim Bashës dhe Peço Vasilit është mos vazhdoni të dilni dhe të shani, të shantazhoni, mos nxirrni lloj-lloj të papunësh të kësaj foltore për të sulmuar PS.
Mos na tundoni se për atë Zot ajo marrëveshje sigurisht ka krijuar kushtet pozitive në raport me klimën dhe partnerët, por ai është një kthim i madh pas i vetëdijshëm që kemi bërë të gjithë ne që jemi në këtë krah, dhe e kemi bërë në funksion të faktit që Shqipëria të mos bëhet prapë muhabet kafenesh lart e poshtë, por një fije peri e ndan realizimin deri në fund të asaj marrëveshje nga grisja e saj, dhe këtë fije peri duhet ta ruaj mirë Lulzim Basha dhe Peço Vasili me të gjithë ata të tjerët, se nuk ua kemi për borxh të na sulmojnë çdo ditë…”