Bota Libri i Bolton: Trump i kërkoi ndihmë presidentit kinez për të fituar...

Libri i Bolton: Trump i kërkoi ndihmë presidentit kinez për të fituar zgjedhjet

Ish-këshilltari i sigurisë: Trump s’e dinte që Britania ishte fuqi bërthamore, Finlandën e dinte në Rusi. Putin mendon se mund të luajë me të si me një violinë

Ish-këshilltari i sigurisë së Donald Trump, John Bolton, ka shkruar kujtimet e tij për punën në Shtëpinë e Bardhë, në një libër që jep detaje shpërthyese në lidhje me Presidentin.

Sipas Bolton, Presidenti Trump i ka kërkuar Kinës që të ndikojë zgjedhjet në SHBA në favorin e tij, duke blerë më shumë grurë dhe sojë, të cilat rriten në zonat që mbështesin Trump.

Trump i kërkoi ndihmë Jinping për zgjedhjet

Në libër, Bolton akuzon ish-shefin e tij se kishte kërkuar ndihmë nga presidenti kinez Xi Jinping për të fituar një mandat të dytë në zgjedhjet e nëntorit.

Ish-këshilltari i sigurisë shkruan se Trump kërkonte që Pekini të blinte prodhime bujqësore nga fermerët amerikanë dhe kishte mbështetur regjimin e ndërtimit të kampeve të përqendrimit për komunitetin ujgur.

Bolton i referohet një takimi mes dy presidentëve gjatë samitit të G20-tës në Osaka, në qershor të vitit të shkuar.

“Trump e zhvendosi papritur bisedën te zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke përmendur potencialin ekonomik të Kinës dhe duke i kërkuar Xi Jinping ta ndihmonte për të siguruar fitoren. Ai theksoi rëndësinë e fermerëve dhe blerjeve të shtuara të bimëve të sojës dhe grurit nga ana e Kinës, në rezultatin zgjedhor”, shkruan Bolton.

Bolton nuk lë pa komentuar edhe marrëdhënien e Trump me presidentin rus, Vladimir Putin. “Mendoj se Putin mendon se mund të luajë me të si me një violinë. Ai e sheh se nuk ka të bëjë me një kundërshtar serioz”.

Veç kësaj, Bolton sugjeron se presidentit i mungojnë njohuritë gjeopolitike. Sipas tij, Trump nuk e dinte që Mbretëria e Bashkuar ishte një nga fuqitë bërthamore, si dhe mendonte se Finlanda ishte pjesë e Rusisë.

Debati mbi librin

Bolton ka qenë këshilltar i presidentit për 17 muaj, para se të jepte dorëheqjen. Ndërsa Trump tha se e kishte shkarkuar.

Libri ka 557 faqe dhe pritet të dalë në treg javët e ardhshme, por mediave u është dërguar paraprakisht një kopje.

Administrata Trump po përpiqet të pengojë botimin e librit, me pretendimin se ai përfshin informacione të klasifikuara mbi sigurinë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha gjatë një interviste për Fox se Bolton kishte shkelur ligjin. “Është një njeri i dështuar, por unë i dhashë një mundësi”, ishin fjalët e Trump.

Bolton, i cili ka punuar edhe për presidentët Regan dhe Bush, ka qenë përkrahës i angazhimit të SHBA-ve në luftën me Irakun, si dhe mbështeti tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Ish-këshilltari i presidentit është kritikuar se këto detaje duhej t’i kishte nxjerrë më herët, jo pas kontratës 2-milionë-dollarëshe për librin.