Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në Vlorë, deklaroi se pas zgjedhjeve do të nisë lufta brenda opozitës.
“Sot ka mbetur vetëm xhezveja për t’i rënë njëri-tjetrit dhe do e shikoni shumë shpejt se si do të fillojë lufta me xhezve, se çizmet mbetën në Kuvend”, tha Rama.
Kreu i qeverisë pati kritika të ashpra për opozitën: “Si kurrë më parë balta e mbiprodhuar në Shqipëri u shpërnda kudo në formën e fotove të dhunës me kazan plehrash në flakë, me njerëz të maskuar që sulmonin policinë, me tym e me gaz, me pamje institucionesh nën sulm. Të gjitha këto u shfaqën në ekranin e Evropës. Për të gjitha këto autorët e këtij plani nuk e fshihnin entuziazmin. Por, ky plan do t’i fusë në histori këta njerëz në radhën e atyre që tradhtuan Shqipërinë. Ky është thelbi i neveritshëm i kësaj përpjekjeje. Gjithë këtij brutaliteti, harbutërie, dhune dhe kokëfortësisë ndaj thirrjeve të partnerëve tanë strategjikë. Kjo është arsyeja se në vitin 2019 u përsërit historia e Haxhi Qamilit. Sot Haxhiu i dytë, baba Xhikja, thotë sa të kem Lulin dhe Fallxhoren me vete nuk pyes për SHBA e BE”.