Kryesore Rama për “FT”: Jemi shkëputur dy herë brutalisht nga Europa, askush nuk...

Rama për “FT”: Jemi shkëputur dy herë brutalisht nga Europa, askush nuk e pranon herën e tretë

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përballen me rrezikun e rritjes së nacionalizimit dhe shthurjes së reformave ekonomike pasi Bashkimi Europian i mbylli dyert për vite të tëra. Kështu paralajmërojnë Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Zoran Zaev, në një intervistë me “Financial Times”.

Rama tha se vendimi për të mos hapur bisedimet ka lënë “një shok të rëndë psikologjik në vend” dhe ka dëmtuar besueshmërinë e bllokut në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne jemi shkëputur nga Europa dy herë në mënyrë brutale, një herë për 500 vite nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe më pas për gjysmë shekulli nën regjimin më brutal komunist. Askush nuk mund të pranojë idenë se mund të ketë edhe një herë të tretë dhe këtë herë mund të jetë Europa që shkëputet brutalisht nga vetvetja”, tha Rama.

Rama shtoi gjithashtu se i kuptonte shqetësimet e shteteve anëtare të BE që donin të reformonin procesin e negociatave para se të nisnin negociata. Por si ai, ashtu edhe Zaev, janë të mendimit se anëtarësimi është të paktën një dekadë larg dhe bisedimet mund të nisnin ndërkohë që vendet dhe vetë blloku reformoheshin. “Europa është në një periudhë ku para se të bëhet më mirë, do të bëhet më keq, dhe ne jemi dëm anësor i kësaj”, tha Rama.