Politika Rama përgëzon Kurtin për vetëpërmbajtjen: Situata në Veri tregoi pse Kosova duhet...

Rama përgëzon Kurtin për vetëpërmbajtjen: Situata në Veri tregoi pse Kosova duhet të vijë në Ballkanin e Hapur

Kryeministri Edi Rama tha se situata e krijuar një ditë më parë në veri të Kosovës nuk tregoi se Ballkani i Hapur është i panevojshëm apo i gabuar, përkundrazi se është një domosdoshmëri.

Rama përgëzoi kryeministrin Kurti për vetëpërmbajtjen e treguar dhe dësgjimin e aleatëve për shtyrjen e zbatimit të marrëveshjes deri sa të qartësohet gjithçka.

“Ngjarja e djeshme është pasqyrë e vështirësisë së thellë në këtë marrëdhënie, por zbatimi i marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel është e drejtë dhe detyrë e Kosovës dhe e mbështes 100 për qind qeverinë e Kosovës, ashtu sikundër e përgëzoj kryeministrin Kurti për sensin e vetëpërmbajtjes dhe dëgjimin e aleatëve që sugjeruan një shtyrje. Këto situata nuk tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit dhe dialogut është e gabuar. Këto situata tregojnë pikërisht pse ne kemi nevojë për këtë. Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet Ballkani i Hapur dhe pse Kosova duhet të vijë dhe të ulet në Ballkanin e Hapur. Këto situata tregojnë që ka dy rrugë, rruga e kthimit mbrapa dhe luftës nga e cila nuk fiton më askush dhe rruga tjetër është ndërtimi i paqes. Unë jam me të parën dhe as mos prisni që unë të kem një opinion tjetër”, tha Rama.