Grupi i ekspertëve izraelitë vijojnë inspektimet në banesat e dëmtuara në Durrës.
Atyre i është bashkuar sot edhe kryeministri Edi Rama duke vizituar ndër të tjera edhe një nga shtëpitë që u inspektua.
Banorët janë ende të traumatizuar, teksa një grua tregon atë që kaluan, por edhe dëmet e pësuara.
“Janë prishur muret, por struktura shumë e qëndrueshme dhe do riparojmë dëmet në mure, muret janë si lëkura, dëmtohet, por nuk krijon rrezik, në këmbë na mban skeleti jo lëkura. Ky kompleks është i rikuperueshëm, nuk ka kolona të dëmtuara, thjesht muraturë”, tha Rama teksa shihte nga afër banesat, me të çara të frikshme në mure dhe faqe të tjera muresh të rëna përtokë.
“Këta janë nga Izraeli dhe janë njësha, inxhinieri thotë që pas katastrofës duhet ta puthësh shtëpinë tende se ka qëndruar dhe ju ka mbrojtur”, i tha Rama duke qeshur gruas.
Ndërsa specialistët kontrollojnë shtëpinë, Rama i tregon gruas edhe aparaturat e përdorura.
“Kjo është kamera termike që tregon që kolonat janë të gjitha në rregull do hedhim përtokë vetëm muret”, tha Rama pasi foli me një nga specialistët.
Ndërkohë, inxhinieri shpjegon se shtëpia mund të riparohet.
“Shtëpia ju ka mbrojtur struktura është solide, shikojmë të çarat po nuk ka probleme, ka pasur shumë tundje, tani do bëjmë muret më të forta që të jenë më të qëndrueshme, tani jemi ne me ju, shtëpia ju mbrojti dhe zoti gjithashtu”, tha ai.
Ndërkohë, një grua në rrugë i kërkon Ramës që të sjellë specialistët që të shohin shtëpinë.
“E kam shtëpinë e shkatërruar, nuk di çfarë të bëj, të futem apo jo”, thotë gruaja, ndërsa kryeministri i përgjigjet duke thënë se duhej të priste radhën, “pasi edhe fëmijët i kishte bërë me radhë”.