Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj një komentuesi në rrjete, pasi ka marrë prej tij xanxën “tradhëtar”, e kjo nën atmosferën e përkujtimit të masakrës së Reçakut, ku, një pjesë e politikës dhe e opinionit e akuzojnë, duke bërë lidhje të shkurtër mes takimit të radhës me Vuçiçin për Schengenin rajonal dhe faktit që presidenti serb nuk e njeh atë.
“Keqardhje e turp për ty dhe këdo tjetër si ti që prej Kosove më shan e më mallkon paturpërsisht, për tradhëtira imagjinare e për poshtërsira të sajuara ndaj meje nga politikanë e analistë pa din e pa iman!
Unë kam bërë, bëj e do bëj gjithçka mundem për Shqipërinë e për Kosovën po njësoj, e nuk kam ndërmend as të tërhiqem, as të përkulem, përballë kësaj armate trushkulurish, shpifësish e parazitësh, sepse jam me të drejtën dhe me të vërtetën, që edhe kur vonon nuk harron asnjëherë”, shkruan Rama.
Më tej, ai komenton jo pozicionin e tij në raport me Reçakun.
“E sa për Reçakun, ato viktima te pafajshme te agresionit serb nuk i nderon aspak zotëria jote duke më fyer mua, ashtu sikundër viktimat e urrejtjes nuk nderohen aspak duke i përdorur për politikën e ulët, që i ndan njerëzit në patriotë e në tradhtarë!
Kjo ishte përgjigja ime për ty, teksa ndjek me shumë keqardhje se si ajo lloj politike po ia merr Kosovës frymën e fytyrën, në sytë e njerëzve të thjeshtë dhe të miqve të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilët habiten gjithnjë e më shumë nga paaftësia politike e nga hipokrizia patriotike e atyre qe kujtojnë se me shpifjet e sharjet ndaj meje, do i ikin përgjegjësive te tyre para popullit dhe të ardhmes së Kosovës!”, shkruan Rama në polemikën e tij.