Kryeministri Rama ka shpjeguar për Tonight Ilva Tare pse nuk e shkarkoi Lefter Kokën si ministër pas akuzave, megjithatë e ka paralajmëruar që të ketë kujdes.
Tare: Nuk ka qenë vetëm Manjani që ka bërë akuza të ashpra për hashashin, implikimin e policisë dhe rrezikun që mund të kenë zgjedhjet nga policia. E kam fjalën për Ministrin Koka, deputetin Vangjel Tavo që ka shprehur këtë shqetësim në mediat shqiptare dhe greke.
Rama: Nuk marr seriozisht burrat me kostum që flasin pas pilafit, por dhe gjatë pilafit në politikën tonë. Di dhe të bëj dallimin mes një Ministri që në mënyrë të përsëritur ka shkelur kodin etik të qeverisë dhe ka shkelur kontratën tonë me publikun dhe të një Ministri që ka të drejtën dhe ai të bëjë një gabim, jam i bindur që nuk do përsëritet dhe uroj që bindja ime të provohet në realitet pasi në rastin e Ministrit tjetër mendoj se bëhet fjalë për një anëtar kabineti që ka qenë gjatë gjithë kryerjes së detyrës një pjesëtar skuadre që ka respektuar skuadrën, pozicionin e tij në raport me detyrën dhe publikun.
Tare: Ministrin Koka e keni falur, keni komunikuar me të pas intervistës në Ora News?
Rama: Nuk fola për falje, fola për drejtën që çdo njeri ka për të gabuar njëherë.