Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një grafik ku raportohen shifrat e personave të prekur nga koronavirusi në vendin tonë, nga dita në ditë.
Sipas kreut të qeverisë, marrja shpejt e masave dhe rezistenca e qytetarëve ka bërë që shifrat të shënojnë një ulje dhe madje mund të dalim më shpejt fitimtarë nga kjo luftë se shumë vende të tjera të botës.
“Shumë e rëndësishme: falë masave të shpejta e të forta dhe rezistencës suaj të shkëlqyer, 10 ditët e fundit kemi rënie graduale të shtrimeve në mjediset spitalore COVID. Ky tregues që e has shumë pak, për të mos thënë fare në vendet e tjera nën agresion, ku mbingarkesa e spitaleve po vjen si haraç për vonesat në marrjen e masave, na thotë qartë se e para, po bëjmë gjënë e duhur; e dyta, duhet të vazhdojmë kështu, me durim të madh, sepse armikun e kemi pas çdo porte; e treta; po vazhduam kështu do të dalim më shpejt fitimtarë se shumë të tjerë, më të mirë, më të fortë dhe me kokën lart përpara brezave që vijnë nga kjo sfidë historike”, shkruan kryeministri në Facebook.