Kryesore Rama: Refuzimi i Kosovës, i pakuptueshëm. Haradinaj gënjeshtar

Rama: Refuzimi i Kosovës, i pakuptueshëm. Haradinaj gënjeshtar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se Kosova ka perspektivë Shengenin evropian dhe jo “Minishengenin” ballkanik. Qëllimi i këtij projekti rajonal, tha ai i pyetur për takimin e Tiranës, është heqja e taksës që Kosova ka vënë për mallrat serbe.

“Jemi të interesuar për Shengen, pra për Bashkimin Evropian, Brukselin. Kosova është vend euroatlantik. Kjo është perspektiva jonë. Krejt “Minishengeni” një qëllim e ka, me e heq taksën”, tha Haradinaj.

Ai tha se përplasja e tij me kryeministrin Rama ka qenë vetëm për shkak te idesë së korrigjimit të kufirit, por sqaron arsyet e refuzimit të Kosovës.

“Me mënyrën si po vazhdon të sillet Serbia, duke i mohuar edhe krimet e luftës, Kosova do të injorojë çfarëdo organizimi dhe iu thotë të gjithëve “puna e mbarë pa ne””.

Ndërkohë, kësaj deklarate të Haradinajt iu përgjigj kryeministri Edi Rama.

Ai e quajti kryeministrin në ikje të Kosovës, Haradinaj, gënjeshtar, duke thënë se nuk ka asnjë kusht ndaj Kosovës për të marrë pjesë.

“Haradinaj është një gënjeshtar dhe vazhdon të gënjejë. Nuk e di nëse e bën nga padija, por është gënjeshtar”, tha Rama në një prononcim për mediat pas mbylljes së samitit.

Gjatë konferencës së përbashkët me liderët e Serbisë, Maqedonisë së  Veriut dhe Malit të Zi, Rama tha se “nisma nuk është përjashtuese për askënd, është gjithëpërfshirëse, është e hapur, nuk i imponohet askujt dhe nuk imponohet nga askush. I kemi bërë ftesë të gjithëve të marrin pjesë. Më lejoni ta them hapur, se për mua, refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës është i pakuptueshëm dhe i dëmshëm për vetë Kosovën”.

“Ne jemi këtu për të ndërtuar urën mes të shkuarës që na ndan dhe të ardhmes që na bashkon. Bindja ime e thellë është se i gjithë ky proces është në koherencë të plotë me angazhimin e çdo vendi për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Plagët e të shkuarës nuk kurohen me helm dhe acid, por me ilaçe, dhe ilaçet nuk jemi të ftuar që t’i shpikim, por të shohim se si kanë funksionuar në realitete të ngjashme”, shtoi Kryeministri.

Rama tha se hapja e kufijve mes Shqipërisë dhe Kosovës përsëritet prej 30 vitesh sa herë që ka zgjedhje. “Por kufijtë nuk mund të hapen dot. Jo sepse çohen në Beograd, por sepse çohen në Uashington, në Bruksel. Ndërsa me këtë nismë ne po themi të hapen të gjithë kufijtë dhe Kosova nuk është e përjashtuar”, tha Rama. “Kjo që po bëjmë nuk është për pushtet dhe vota, nëse do ta bënim për pushtet dhe vota nuk do të ishim këtu sot. Kjo bëhet për të ardhmen, për njerëzit e zakonshëm”.