Paga minimale do të pësojë një tjetër rritje. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar publikisht se paga minimale, qoftë për sektorin publik por dhe atë privat, paga minimale do të jetë 40 mijë lekë të reja.
Kjo rritje do të hyjë në fuqi pas disa javësh.
“Mbase është gjëja e duhur për të ndarë me ju që paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë. Domethënë çështje disa javësh. Dhe do të fillojë të aplikohet brenda shumë pak muajsh për të gjithë. Nuk duam të ketë pagë më të ulët se 40 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë qoftë në sektorin publik qoftë në sektorin privat”.
Kryeministri tha gjithashtu se qeveria është duke punuar që paga minimale brenda dy viteve të rritet në 45 mijë lekë.
“Ne besojmë që kjo rritje është e duhura dhe jo vetëm kaq por besojmë po ashtu që duke kontribuar edhe ne me një mekanizëm që jemi duke e përfunduar, paga minimale do rritet në vijim dhe duam që brenda 2 viteve të shkojë në 45 mijë lekë. Kështu që juve që sapo nisni shkollën kini parasysh që me çdo rritje të pagës minimale ju do të merrni shtesën mbi pagën minimale me të cilën e filloni shkollën”.
Këto deklarata, Rama i bëri gjatë një takimi me studentët përfitues të programit të ri të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme.