Aktualitet INSTAT: Gjirokastra, e para për forcat e punës, por edhe qarku i...

INSTAT: Gjirokastra, e para për forcat e punës, por edhe qarku i fundit për numrin e nxënësve

Gjirokastra është qarku me numrin më të lartë të pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë mbi 15 vjeç. Të dhënat janë bërë publike nga vjetari rajonal statistikor për vitin 2022, i publikuar nga INSTAT.

Sipas të dhënave zyrtare, nga mbi 55 mijë banorë që ka qarku i Gjirokastrës, afro 69 % e grupmoshës mbi 15 vjeç është në punë.

Ndërsa Lezha është qarku me shkallën më të lartë të papunësisë në rang vendi, me afro 23 % nga mbi 117 mijë banorë të saj.

E teksa Gjirokastra mban vendin e parë si qark për pjesëmarrjen në forcën e punës, është e fundit për raportin e numrit nxënës/mësues në arsimin 9-vjeçar.

Të dhënat në rang qarku për raportin nxënës mësues në arsimin e detyrueshëm, tregojnë se Tirana mban numrin më të lartë të nxënësve në raport me mësuesit në arsimin 9-vjeçar.

Në kryeqytet në arsimin e detyrueshëm janë afro 15 nxënës për një mësues, e ndjekur nga Durrësi me 14 nxënës për një mësues.

Fieri, Lezha dhe Vlora po ashtu kanë një numër të lartë nxënësish në raport me mësuesit në ciklin 9-vjeçar.

I parafundit për raportin nxënës mësues, qarku i Shkodrës është i pari për numrin më të ulët të të pandehurve në rang vendi.