Politika Rama takon kryeministrin e Ukrainës: Rikonsideroni njohjen e Kosovës, ata njerëz e...

Rama takon kryeministrin e Ukrainës: Rikonsideroni njohjen e Kosovës, ata njerëz e meritojnë

Gjatë vizitës në Kiev, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai malazez, Dritan Abazoviç, zhvilluan një takim edhe me kryeministrin e Ukrainës Denys Shmyhal. Gjatë takimit, Edi Rama ka theksuar se Shqipëria qëndron krah Ukrainës në kërkesën e saj për të marrë statusin e vendit kandidat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

“Për të bërë gjithçka që mundeshim që prej ditës së parë së kësaj lufte të tmerrshme, jemi këtu për të mbështetur Ukrianën në kërkesën e saj për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Kemi ardhur si 3 vende anëtare të NATO-s dhe jemi të kënaqur që shohim se 5 vendet anëtare të Ballkanit Perëndimor kanë qëndruar krah jush dhe krah botës demokratike dhe sigurisht kjo vlen dhe për Serbinë që ka marrëdhënie mjaft të veçanta me Rusinë dhe po ashtu edhe për Shqipërinë e duke vazhduar me Malin e Zi që është i rreshtuar me aleancën deri tek Bosnje-Hercegovina”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se po ashtu ka edhe një vend tjetër të Ballkanit Perëndimor që është rreshtuar krah Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus. Rama ka kërkuar që Ukraina ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

“Ka një vend tjetër në Ballkanin Perëndimor, Kosova që prej ditës së parë është rreshtuar krah Ukrainës deri në fund. Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën dhe e thashë edhe gjatë konferencës së shtypit, e thashë edhe publikisht që ju të rikonsideroni njohjen e Kosovës pasi ata njerëz e meritojnë dhe ata realisht dëshmuan diçka të jashtëzakonshme sepse nuk mbeten peng i së shkuarës për të kujtuar si Ukraina u soll atëherë kur Kosova sulmohej, por qëndruan për atë që besonin për Ukrainën. Do të ishte mirë që Ukraina të rikonsideronte dhe të përçonte mesazhin e duhur në emër të Komunitetit të ri Europian”, tha Rama.

Ndër të tjera, Kryeministri Rama ka thënë se Shqipëria do të bashkohet me vendet e rajonit për të ndërtuar një bllok ndërtesash në shenjë solidariteti, por edhe për të treguar se Ukraina ka miq me fakte dhe jo vetëm me deklarata.

“Ndërkohë që Shqipëria ka dhuruar 1 milionë euro, nuk do të zgjidhë problemet tuaja, por për buxhetin tonë kjo ishte diçka që tregon respekt për ju. Ne duam që të bashkohemi me të gjitha vendet e Ballkanit dhe duam të ndërtojmë një bllok secili prej vendeve një ndërtesë që do të jetë aty për të kujtuar që dikur se Ukraina kishte miq dhe për të treguar solidaritetin me fakte dhe jo vetëm me deklarata”.