Në një konferencë për shtyp bashkë me Presidentin francez, Emmanuel Macron, lancelarja gjermane Angela Merkel tha se Bashkimi Europian është shumë i përkushtuar për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit perëndimor.
“Duhet të shohim situata e ndryshme në vende të ndryshme dhe të shohim ku duhet një ndërhyrje e veçantë”, tha Merkel.
“Gjermania dhe Franca kanë përgjegjësi për këtë zhvillim. Është në interesin e përbashkët të BE që zhvillimi i rajonit të jetë pozitiv”, tha kancelarja gjermane.
Ajo ritheksoi rëndësinë që Kosova dhe Serbia të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje.
Takim Rama-Merkel
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim dypalësh me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel. Në takim u diskutua mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu Kryeministri Rama foli edhe për pritshmëritë e Qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Europian që do të publikohet në fund të muajit maj.
Rama e falënderoi Kancelaren për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë për të shtyrë më tej rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Në takim u diskutua gjithashtu edhe për rajonin dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.