Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste se dita e enjte do të finalizohet me rezolutë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
“Vendimi i Presidentit ishte i pritshëm! Ne jemi Republikë Parlamentare, jo Presidenciale. Ndaj asgjë s’na ndal të vijojmë përpara me 30 Qershorin. Të enjten debat shumë i gjatë parlamentar. Të shpalosim të gjitha argumentat kundër këtij vendimi të Presidentit. E enjtja do të finalizohet me rezolute për shkarkimin e Presidentit”.
Kjo deklaratë e Ramës vjen pas konferencës së jashtëzakonshme që mbajti Presidenti Ilir Meta mëngjesin e kësaj të hënë ku argumentoi përmes 8 pikave vendimin e tij për të shfuqizuar dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve vendore më 30 Qershor.
Nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta gjithashtu e bëri të ditur dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së PS-së.
“Kryesia ka diskutuar mbi aktin brutal të Ilir Metës dhe ka vendosur që të enjten në seancë plenarë të zhvillojë një debat duke shtjelluar gjithë argumentet sesi Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës e asnjë Kushtetutë, dhe aq më pak të quajtur dekretim”.