Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje të gjithë të rinjve që të mos dalin nga shtëpia. Në një videomesazh, Rama tha se përveç të moshuarve, të rrezikuar janë edhe të rinjtë.
Rama ka bërë të ditur se duke filluar nga dita e nesërme të gjitha kompanitë do të kenë paketa të reja ofertash interneti.
“Nga nesër 50 përqind më shumë internet falas për të gjithë”, tha Rama. Kryeministri theksoi se ky maksimumi që mund të bëhej, pasi në të kundërt sistemi do të kalonte në kolaps. “Administrimi i duhur i rrjeteve dhe i shërbimeve elektronike është një nga pikat nevralgjike të krizës. E keni parë besoj se si kolapsuan sisteme digjitale në vende më të avancuara se i yni”.
Edi Rama: Trimëri është të rezistosh sa më shumë pa dalë nga shtëpia dhe kur del të dalësh vetëm kur ke një punë të domosdoshme, pa u shoqëruar me askënd dhe të mos prishësh radhën apo distancat kur shkon të blesh diçka.
Po bëni të gjithë një përpjekje fantastike që do ta mbajë mend historia nëse nuk na i hedhin në plehra ata që nuk respektojnë ligjin e kësaj lufte.
Janë pak, por të mjaftueshëm për të na bërë gjëmën dhe të na i bëjnë pastaj këtë luftë një tragjedi kombëtare, mos e dhënë zoti në përmasa të paimagjinueshme.
Mbrëmë shifrat e të prekurve në SHBA ishin të frikshme për të rinjtë. 40% e të shtruarve në spitalet amerikane janë nga mosha 20 deri në 45 vjeç dhe jo pak prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Është e vërtetë që ky armik i verbër merr në botën tjetër ata që janë përgjithësisht më të moshuar, por është e pavërtetë që të rinjtë janë të paprekshëm, madje edhe fëmijët nuk janë 100% të paprekshëm.
Sot në Izrael luftohet për jetën e një fëmije 9-vjeçar.
Prandaj ju lutem të rinjve gjimnazistë, studentë, që dalin në lagje për tu ajrosur dhe arrijnë deri të luajnë basketboll të mos lëvizin nga shtëpia për asnjë arsye në botë, sepse jo vetëm mund të transportojnë bombat dhe të vrasin prindin ose gjyshin, por mund të humbasin edhe jetën e tyre.