Akuzave të kryeministrit Edi Rama se presidenti nuk është në rregull nga trutë, Ilir Meta iu përgjigj nga Vlora se pas referendumit, siç i quajti ai zgjedhjet e 25 prillit, do t’i kërkojë parlamentit që të kontrollohen të gjithë psiqikisht duke filluar nga Kryeministri e Presidenti para se të marrin detyrën.
“Do t’i kërkoj parlamentit të ardhshëm që të miratojë edhe një ligj, që të kontrollohen të gjithë psiqikisht janë apo jo në rregull nga trutë që nga presidenti, kryeministri etj”.
I pyetur për fushatën elektorale, Meta tha se është e rëndësishme që të jetë e bazuar në transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa u bëri thirrje partive që të kenë kandidatë me integritet dhe të mos marrin financime nga oligarkët për të cilët shprehu disa herë qëndrimin kundër.
“Nuk më intereson fushata, për mua është e rëndësishme që fushata të jetë e bazuar në transparencë, ndershmëri, llogaridhënie dhe në debate për të ardhmen, për problemet më jetike që kanë shqiptarët. Dhe kandidatët të jenë me integritet, mos preken nga dekriminalizimi, partitë të pastrojnë listat dhe mos të bëhen strehë e atyre që pastron partia tjetër. Më 25 prill do të jetë triumf i popullit mbi oligarkinë, u bëj thirrje që të mos marrin financime nga ata. Ilir Meta është kundër oligarkëve”.
Për Metën më 25 prill do të fitojë populli mbi oligarkinë, do të vendoset rendi kushtetues dhe do të çelen negociatat me Shqipërinë.
“Kur flas për përmbysje demokratike e kam fjalën për vendosjen e rendit kushtetues te kontrolli i qytetarit mbi politikën dhe jo të jetë viktimë e politikës e institucioneve që janë të kapur nga një pakicë, prandaj flasim për referendum, jemi në situatë anormale. Negociatat do të çelen falë referendumit të 25 prillit dhe ky është për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. E ardhmja e Shqipërisë është në Europë”.