Në hapjen e fushatës së PS-së për zgjedhjet e 30 Qershorit, kryeministri Edi Rama sfidoi kundërshtarët e tij politik, të cilët e akuzojnë se është njëri i korruptuar dhe kriminel, që ta vërtetojnë një gjë të tillë.
Kreu i qeverisë pranoi se është pasionant dhe arrogant, por kurrë kriminel dhe hajdut.
Po të ishte kjo e imja një çështje personale do ta kisha lënë prej kohësh këtë punë dhe nuk do mbaja rrebeshin e përditshëm të gurëve dhe baltës mbi veten. Po të ishte kjo e imja një punë për përfitime personale, nuk do ta kisha marrë përsipër dhe nuk do të kisha guxuar t’ja bëja njerëzve të familjes time atë që i ndodh për ditë për shkak të punës time.
Unë mund të jem pasionant edhe arrogant po të doni, por kurrë nuk kam qenë materialist dhe kurrë s’kam për të qenë as kriminel, as hajdut si ata që më ngrëne dhe me ulin si të tillë nga mëngjesi në darkë, nga viti në vit nga dekada në dekadë.
Unë mund të bëj gjykime të gabuara, mund të marr dhe vendime të gabuara, por kurrë as kam bërë, as kam marrë dhe as kam bërë për të marrë asnjë vendim për gjëra të gabuara që i di përpara si të gabuara. Kurrë nuk e kam futur dhe nuk kam për ta futur dorën në xhepin e një njeriu të gjallë në këtë vend dhe në këtë botë. Kurrë nuk e kam hedhur dhe s’kam për ta hedhur firmën time për të fituar në rrugë të paligjshme apo për të dëmtuar vendin, njerëzit e këtij vendi dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Unë nuk kam si ti provoj fjalët e mia për veten time. Por gjithmonë edhe tani i kam sfiduar dhe i sfidoj, ata që thonë të kundërtën ta provojnë të kundërtën me fakte, jo me fjalë, me të vërteta jo me sajesa dhe fabrikime të ulëta.
Për mua kjo detyrë është mision, nuk është një karrige e lartë. Është pasion nuk është kalkulim praktik, është bindje atdhetare nuk është karrierë politike.